Oda Amerikane kërkon që gazi i lëngshëm natyror nga SHBA-ja të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Oda Amerikane kërkon që gazi i lëngshëm natyror nga SHBA-ja të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Ekonomia June 05, 2026 - 09:43

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Odës Amerikane, një orientim i tillë do të sillte përfitime ekonomike dhe energjetike, ndërsa njëkohësisht do të forconte bashkërendimin strategjik të Kosovës me SHBA-në, partnerin kryesor strategjik të vendit.

Në reagimin e saj, Oda thekson se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike mbetet një barrë e konsiderueshme për ekonominë. Sipas saj, remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi ndaj luhatjeve të tregut e bëjnë të domosdoshëm diversifikimin e burimeve energjetike.

Oda Amerikane rikujton se në Evropën Juglindore po zhvillohen projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe të ndërlidhjes energjetike, të cilat po krijojnë mundësi të reja për sigurimin e burimeve të diversifikuara të gazit dhe forcimin e sigurisë energjetike.

“Nëse vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjatë të furnizimit”, thuhet në reagim.

Sipas Odës, sfida kryesore për Kosovën nuk është më disponueshmëria e furnizimit me gaz, por gatishmëria për ta shfrytëzuar atë. Për këtë, kërkohen investime strategjike në infrastrukturë, modernizim i kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më i madh me partnerët strategjikë.

Tutje, Oda vlerëson se investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të krijonte më shumë fleksibilitet për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive vendore përballë kërkesave gjithnjë e më të ashpra të Bashkimit Evropian lidhur me emetimet e karbonit.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje Qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mungesa e veprimit mund të zgjasë cenueshmërinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik.

Sipas saj, veprimi në kohë do të kontribuonte në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt për Kosovën. /Zëri