Zyra e Lumezit: Në aksident u lënduan katër persona, Sulejmani u dërgua jashtë shtetit

Kronika December 24, 2016 - 19:55

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme është aksidentuar dhe është lënduar rëndë Prokurori Lulzim Sulejmani. Në njoftimin e zyrës së Kryeprokurorit, Aleksandër Lumzi, bëhet e ditur po ashtu se në këtë aksident janë lënduar edhe katër zyrtarë të tjerë.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon se sot, më 24.12.2016, në fshatin Dollc të komunës së Klinës, rreth orës 2:05 min, katër zyrtarë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prej tyre një prokuror, kanë pësuar aksident trafiku” thuhet në njoftim.  Siç është bërë e ditur nga Zyra e Kryeprokurorit në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Pejës janë liruar për trajtim në shtëpi.

“Ngasësi i makinës ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë”.

  “Aksidenti ka ndodhur me veturë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, derisa zyrtarët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ishin duke u kthyer nga një organizim i mbajtur në Gjakovë, me rastin e fund vitit, për të gjithë stafin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit pret përfundimin e hetimeve për të kuptuar shkakun e ndodhjes së aksidentit”, thuhet në fund të njoftimit të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.