Aktakuzë për trafikim me qenie njerëzore në Prizren
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë për trafikim me qenie njerëzore në Prizren

Kronika March 29, 2024 - 14:57

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.P. dhe L.H. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Trafikim me njerëz” dhe “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, thuhet se i pandehuri M.P. gjatë periudhës kohore qershor – korrik të vitit 2021 në Prizren “merr pjesë në trafikimin me njerëz dhe atë duke strehuar dhe pranuar viktimën e trafikimit me anë të përdorimit të forcës dhe shtrëngimit ose të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave nga e njëjta me qëllim të shfrytëzimit seksual të saj, në atë mënyrë që paraprakisht siguron viktimën e mitur, për të cilën e di se është e mitur dhe e rekruton të njëjtën në lokalin e tij – klubin e natës NN në Prizren, në mënyrë që e njëjta të punojë si e ashtuquajtur ‘valltare’ ose ‘shoqëruese e klientëve’, të cilës gjithashtu edhe i ofron strehim në dhomat e gjumit të lokalit në fjalë, por edhe banesë në Prizren, me ç’rast me përdorim të forcës dhe shtrëngimit e detyron që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L.H., e cila në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj, është pajtuar t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri M.P. ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri L.H. veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Derisa prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri