Gjakderdhje në kokë dhe lëndime të tjera të rënda, drejtori i Intensives tregon për gjendjen e tetëvjeçarit që u godit nga vetura në Pejë

Gjakderdhje në kokë dhe lëndime të tjera të rënda, drejtori i Intensives tregon për gjendjen e tetëvjeçarit që u godit nga vetura në Pejë

Kronika April 08, 2024 - 11:13

Dy fëmijë pësuan lëndime trupore të dielën në Pejë, pasi u goditën nga një veturë.

Njëri prej fëmijëve të aksidentuar, i moshës tetë vjeç, aktualisht po trajtohet në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të lëndimeve më të rënda.

Drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se pacienti i lindur në vitin 2016 aktualisht është në gjendje stabile, por me lëndime serioze.

“Gjendja e pacientit aktualisht është stabile, por me lëndime serioze. Tani jemi në fazën e ekzaminimeve dhe në fazën ku jemi duke u mundur ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme të tij”, ka thënë Uka.

Ai ka treguar se pacienti në fjalë ka lëndime në kokë, mushkëri dhe në ekstremitetet e tjera.

“Lëndimet janë të rënda, ka gjakderdhje në regjionin e kokës, ndrydhje në mushkëri dhe lëndime në ekstremitetet e tjera”, ka deklaruar Uka.

Pacienti në fjalë mbrëmë është pranuar fillimisht për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në QKUK, ku më pas është transferuar në Mjekimin Intensiv.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka thënë se gjendja shëndetësore e fëmijës vazhdon të jetë e rëndë, por stabile.

“Po i njëjti është trajtuar mbrëmë te ne në Qendrën Emergjente dhe pastaj është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e pacientit është e rëndë, por stabile momentalisht”, ka thënë Syla.

Ndryshe, lidhur me këtë rast është arrestuar shoferi i veturës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik”.