Policia në Prishtinë gjobit 57 motoçiklistë dhe sekuestron 10 motoçikleta

Policia në Prishtinë gjobit 57 motoçiklistë dhe sekuestron 10 motoçikleta

Kronika July 08, 2026 - 08:51

Policia e Kosovës ka vazhduar zbatimin e planit operativ “Kontrolli i motoçikletave” në kryeqytet, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe garantimit të rendit e qetësisë publike.

Sipas njoftimit të Policisë, vetëm gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar 57 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave për kundërvajtje të ndryshme në trafik, duke përfshirë edhe shkelje që lidhen me prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Po ashtu gjatë së njëjtës periudhë zyrtarët policorë kanë sekuestruar dhjetë motoçikleta.

Policia e Kryeqytetit ka bërë të ditur se ky plan operativ do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me fokus parandalimin e kundërvajtjeve, rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e rendit e qetësisë publike.

Njëkohësisht, ajo u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të motoçikletave të respektojnë rregullat e trafikut dhe legjislacionin në fuqi. /Zëri