Mbi 35 mijë gjoba trafiku në rajonin e Pejës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit
Policia e Kosovës ka shqiptuar 35.265 gjoba për kundërvajtje në komunikacion në rajonin e Pejës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026 stacionet policore dhe Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor kanë ndërmarrë masa të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Përveç 35.265 gjobave të shqiptuara, policia ka vendosur edhe:
1.632 masa mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit, me kohëzgjatje nga tre muaj deri në një vit;
3.047 gjoba me pikë negative, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Sipas Policisë, këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm për zbatimin e ligjit, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Duke qenë se gjatë sezonit veror shënohet rritje e qarkullimit të automjeteve dhe e numrit të pjesëmarrësve në trafik, Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve, motoçiklistëve, çiklistëve dhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit ose substancave të tjera.
Policia ka ftuar gjithashtu qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo shkelje ose sjellje që rrezikon sigurinë në rrugë. /Zëri