Dogana ndalon 128 palë këpucë, të dyshuara si produkte që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale

Dogana ndalon 128 palë këpucë, të dyshuara si produkte që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale

Kronika July 08, 2026 - 09:26

Dogana e Kosovës ka ndaluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, të dyshuara për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale, gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 3 korrik, rreth orës 22:00, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet me targa vendore, në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e rrezikut.

Fillimisht, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk kishte mallra për të paraqitur. Megjithatë, duke u bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në kompetencat e përcaktuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave, zyrtarët kryen kontroll fizik të automjetit.

Gjatë kontrollit në bagazh u zbuluan 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, për të cilat drejtuesi nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e tyre.

Dogana bëri të ditur se ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin doganor dhe dispozitat për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Sipas Doganës së Kosovës, institucioni mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, me synim mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave fiskale të vendit. /Zëri