Shkëndija synon ta vesh Kuq e Zi Evropën, motivohet nga Lazim Destani (FOTO)

Sport August 17, 2016 - 22:12

Ëndrra evropiane e Shkëndijës po vazhdon. Skuadra shqiptare do ta zhvillojë përballjen e dyfishtë ndaj skuadrës belge, Gent, në fazën e “Play-Offit” të Europa League.

Kuqezinjtë gjenden vetëm një hap larg fazës së grupeve, por për ta arritur këtë, duhet të dalin mirë nga dueli i nesërm me belgët, por edhe në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Shkup, shkruan Zëri.

Image

Pa dyshim, futbollistët e Shkëndijës do ta kenë një motiv shtesë për ta arritur këtë rezultat historik pasi pronari i klubit, Lazim Destani, ua ka premtuar atyre gjysmë milioni euro, nëse shkojnë në fazën e grupeve.

Për të mbërritur deri këtu, Shkëndija kaloi ekipet e njohura, të tilla si, çekja Mllada Bolesllav, Neftçin nga Azerbajxhani dhe Cracovia nga Polonia. Lojtarët e Shkëndijës janë takuar me pronarin Destani, njëherësh edhe pronar i kompanisë ‘Ecolog’, i cili i ka motivuar dhe ju ka premtuar premi të majme nëse e kalojnë këtë fazë.

Image

“Më vjen mirë që sot takohem edhe me ju dhe që jeni bërë pjesë e sukseseve të klubit tonë. Ne kështu duke ju dhënë mbështetje futbollistëve kemi treguar se klubi është i të gjithëve dhe se sukseset janë më me vlerë kur të gjithë jemi të bashkuar. Mendoj se ky sukses që ka shënuar klubi ynë është historik, por kam një ndjenjë që kemi mundësi që të arrijmë suksese edhe më të mëdha”, u ka thënë Destani futbollistëve.

Image

“Andaj, unë falënderoj të gjithë mediat për mbështetjen që na kanë dhënë dhe uroj të vazhdojmë të shënojmë momente të mira me Shkëndijën tonë dhe tuajën”, ka shtuar biznesmeni i njohur shqiptar, i cili është më meritori për arritjet e jashtëzakonshme të Shkëndijës në vitet e fundit, prej se e mori në dorë këtë klub.

Image

“Kam sjellë vendim për të dhënë premi të veçantë në vlerë prej 500,000 euro për eliminimin e Gentit, pra me të vetmin qëllim sepse unë besoj se ju jeni të denjë ta kaloni edhe këtë sfidë dhe ta shkruani historinë”, premtoi ai.

Destani viziton ekipin në Belgjikë

Lazim Destani i ka bërë vizitë skuadrës së Shkëndijës në Gent të Belgjikës, para ndeshjes me skuadrën belge, raporton Zëri.

Gjatë kësaj vizite, ai realizoi një takim me futbollistët dhe stafin teknik në bazën e ekipit në Gent, ku shprehu kënaqësinë e tij për sukseset historike të klubit në elimiantoret e Liga Europës.

Ai gjithashtu potencoi se kjo ecuri e shkëlqyeshme e ekipit në Europë është në përputhje me synimet dhe planet për ngritjen e Shkëndijës në një klub të nivelit europian.

Image

Me këtë rast Destani ka inkurajuar futbollistët për ta dhënë më të mirën edhe në dy sfidat e radhës me Gentin në fazën e “Play-Offit” për inkuadrim në grupet e këtij kompeticioni.

“Vetë fakti që luajmë në zemër të Europës flet shumë. Flet shumë për rolin e sportit në përfaqësimin e vlerave të shoqërisë sonë të cilat nuk dallojnë nga ato europiane dhe ju jeni ambasadorët më të mirë të këtyre vlerave të shoqërisë sonë. Kjo është arsyeja që të gjithë tifozët dhe sportdashësit në Maqedoni dhe sigurisht edhe më gjerë, në këto momente i kanë drejtuar sytë nga ju dhe janë me ju! Ju deri më tani i bëtë ata të mburren, por unë jam më se i bindur se ju do ta rritni edhe më shumë krenarinë e tyre!”, ka thënë kreu i klubit shqiptar nga Maqedonia.

Image

“Kam besim të plotë në përgatitjen dhe përkushtimin tuaj për ta kapërcyer edhe këtë sfidë. Prandaj, le t’i japim të gjitha forcat për ta jetësuar, siç thonë përkrahësit tuaj më të fuqishëm ‘Ballistët’, ‘hap pas hapi shkruhet historia’”, u tha Destani futbollistëve.

Vizita e Destanit i ka gëzuar futbollistët, në emër të të cilëve, kapiteni Ferhan Hasani premtoi maksimumin për prezantim sa më të denjë në përballjet me Gentin.

Ndërkohë, pas takimit me futbollistët, Destani ka ndarë kohë për ta takuar ekipin e gazetarëve që kishin arritur në Belgjikë për ta ndjekur nga afër takimin Gent – Shkëndija, që luhet nesër mbrëma në orën 20:30. /Zëri/

Image
Image
Image
Image
Image
Image