SHBA i bën bajat basketbollin Serbisë, fiton medaljen e artë

Sport August 21, 2016 - 22:28

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dominuan ndaj Serbisë duke shënuar fitore me rezultat të thellë 96:66, në finalen e basketbollit për meshkuj në ditën e fundit të Lojërave Olimpike në Rio.

Serbët i rezistuan amerikanëve vetëm në periudhën e parë të lojës të mbyllur me rezultat 19:15.

Kurse, më pas ekipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i udhëhequr nga Kevin Durant u shkëput dukshëm në rezultat duke e mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me epërsi të thellë prej 52:29.

Durant ishte bindshëm basketbollisti më i dalluar me 24 pikë pas dy periudhave të lojës, dhe në total prej 30 pikësh ishte ylli i finales.

Në ndeshjen e vlefshme për medaljen e bronztë, Spanja doli fituese kundër Australisë me rezultat të ngushtë 89:88.