Dueli special i vëllezërve Xhaka, për të cilin po flet krejt Evropa

Sport September 27, 2016 - 20:25

Taulant Xhaka e pranon se fakti se do të përballet me vëllain e tij, Granit Xhaka në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, do të jetë një moment special, por insiston se ndjenjat duhet të largohen për 90 minuta, përcjellë Zëri.

Kjo nuk është hera e parë që vëllezërit nga Kosova do të luajnë kundër njëri tjetrit, pasi ata ishin përballur edhe në Evropianin e Francës, në ndeshjen në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë, e vlefshme për fazën e grupeve të Evropianit.

Sidoqoftë, 25 vjeçari është i vendosur që ta mposht vëllain e tij më të vogël, i cili këtë verë iu bashkua Arsenalit nga Borussia Monchengladbachu.

“Isha paksa i frikësuar në fillim, pasi nuk dëshiroja ta lëndoja”, kujton për “Telegraph” Taulanti përballjen me Granitin gjatë verës që shkoi.

“Kur ndeshja vazhdon, ju ndiheni më të relaksuar dhe fokusoheni vetëm në lojë. Të luaj kundër Arsenalit është një ëndërr fëmijërore. Do të jetë speciale. Ne të dy do të futemi në fushë me të njëjtat mendime, kemi nevojë të fitojmë dhe të japim gjithçka nga vetja”, ka vazhduar përfaqësuesi shqiptar.

Edhe pse e konsiderojnë njëri-tjetrin si shokët më të ngushtë, përpos faktit që janë vëllezër, Taulanti beson se asnjëri nga vëllezërit nuk do ta ndihmojë njëri-tjetrin.

“Ne nuk do t’i tregojmë njëri-tjetrit se si luan ekipi, ne jemi profesionistë. Shpresoj që pas lojës mund të takohemi shpejt”, vazhdoi Taulanti, raporton Zëri.

“Shpresoj që unë do të fitoj dhe ai të jetë në formë të mirë. Natyrisht, është dëshirë e imja që një ditë të luajmë së bashku”, ka përfunduar Taulant Xhaka. /Zëri/