Çiro: Ma jepni në dorë Përfaqësuesen e Kosovës, e kualifikoj në Botëror

Sport October 12, 2016 - 12:59

Çiro Bllazheviq beson se do ta dërgonte Kosovën në Botërorin e Rusisë nëse i jepet mundësia ta udhëheqë skuadrën më të re evropiane, shkruan sot gazeta Zëri.

Së fundmi po spekulohet se trajneri kroat mund ta zërë vendin e Albert Bunjakit, ndërsa ish-trajneri i FC Prishtinës shprehet mjaft optimist sa u përket objektivave, nëse i jepet kjo mundësi.

“Më duhet të jem i sinqertë dhe të them se deri më tash askush nuk më ka kontaktuar. Tash për tash mbetet spekulim. Nëse më pyesni se çka do të ndodhte nëse e marr një ofertë, natyrisht do ta pranoja me gjithë zemër, sepse ndihem i gatshëm për të shkuar në Botërorin e Rusisë”, ka thënë Çiro në një intervistë për “Nezavisne”, përcjellë Zëri.

“Natyrisht, është e nevojshme të bëhen disa ndryshime, pasi kjo skuadër është në një fazë të ndërtimit dhe përforcimeve. Kanë një potencial të lojtarëve të klasit botëror, të cilët janë duke u zhvilluar, por që jam i sigurt se do të bëjnë paraqitje të shkëlqyeshme dhe që së bashku do ta ndërtojmë së bashku një histori të shkëlqyeshme. Fatkeqësisht, deri tash kanë pësuar 10 gola në kualifikime, por ka mundur të ishte shumë më ndryshe”, ka përfunduar trajneri me përvojë kroat. /Zëri/