Besa dhe Llapi japin shpresa për një finale jo të kurdisur

Sport May 28, 2017 - 13:36

Derisa finalja e Kupës së Kosovës po afrohet, finalistët nga Peja dhe Podujeva ditëve të fundit po japin shpresa për një takim “Fair Play”, e jo të kurdisur siç u fillua të përflitet, raporton "Zëri.info".

Burime nga Peja këto ditë kanë thënë se Besa u ka ofruar premi prej 4 mijë eurosh secilit futbollist në rast triumfi karshi Llapit. Ndërkohë, thuhet se skuadra e kuqe këto ditë ka marrë edhe ndihmë me këshilla nga ish trajneri i saj i suksesshëm, Gani Sejdiu.

Ndërsa, Besa të dielën i ftojë të gjithë tifozët e saj pejanë që të jenë të pranishëm të mërkurën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, duke u premtuar bileta dhe udhëtim gratis, e mbi të gjitha edhe Kupën.

Në anën tjetër, Llapi ka konfirmuar se u ka ofruar nga 5 mijë euro premi secilit lojtar të vet për fitore ndaj Besës. Ndërkohë i ka ftuar tifozët e vet po ashtu në Mitrovicë, përfshirë edhe ata nga diaspora. Ditëve të fundit kanë qarkulluar zëra kinse Besa do t’ia lëshojë finalen Llapit, i cili ka licencë për gara evropiane, ku nuk mund të shkojë pa Kupë. /Zëri/