Lamtumirë maestro!

Sport July 25, 2017 - 15:31

Ka ndërruar jetë fare papritur, të hënën, ndërsa të martën i është dhënë lamtumira e fundit një prej futbollistëve më të mirë që Drenica ka pasur ndonjëherë, Hashim Ajeti, shkruan zeri.info.

Përveç futbollist i spikatur, i cili ka luajtur përveç në Drenicë edhe në disa klube të Mitrovicës që nga vitit 1958, Hashim Ajeti është themelues i klubit të Drenicës, trajner i të cilës ishte me vite të tëra.

Përveç futbollit, Ajeti ka edukuar shumë breza të rinjsh, si profesor i edukatës fizike, fillimisht në Klinë të Epërme e pastaj në shkollën fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj, ku punoi derisa u pensionua në vitin 2010. 

Në mbledhjen komemorative të organizuar nga Komuna e Skenderajt, kontributi i Hashim Ajetit në zhvillimin e sportit, posaçërisht të futbollit në Drenicë është vlerësuar lartë.

Shokë të tij, ish-futbollistë dhe kolegë, e vlerësuan Ajetin si mjeshtër të madh të lojës së futbollit, nga i cili kanë mësuar gjenerata të tëra.

Vdekja e tij e ka shokuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka lëshuar telegram ngushëllimi për familjen dhe gjithë komunitetin e futbollit. /Zëri/