Akti i fundit

Akti i fundit

Sport May 19, 2019 - 10:36
Detajet

Kryendeshja e gjithë edicionit të sivjetmë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku Feronikeli do të jetë mikpritës i Prishtinës. Dëshmitarë të kësaj ndeshjeje do të jenë vetëm rreth 2 mijë shikues, aq sa është kapaciteti i këtij stadiumi, shkruan “Zëri”

Në edicionin e sivjetmë të Superligës së Kosovës në futboll janë zhvilluar 192 ndeshje, të cilat nuk e kanë përcaktuar kampionin e Kosovës. Nga këto ndeshje të zhvilluara janë zgjidhur vetëm dy dilema, me dy skuadra që në edicionin e ardhshëm do të bëjnë gara në Ligën e Parë. “Vizën” për një rang më të ulët garash e “kanë siguruar” KEK-u dhe Liria, ndërsa kanë mbetur të përcaktohen emrat e dy skuadrave që do të luajnë në barazh.

Në aktin final, vetëm 2 mijë tifozë

Ajo që i intereson më së shumti opinionit futbolldashës në Kosovë është se kush do të shpallet kampion, Feronikeli që është në pozitën e parë me 77 pikë, ose Prishtina që si e dyta i ka dy pikë më pak se “Nikli”, pra 75. Të dyja skuadrat kanë bërë shumë në këtë kampionat që të shpallen kampione dhe mu ky fakt ka bërë që ato ta kërkojnë titullin në ndeshjen e fundit, që të dielën zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, aty ku numri i tifozëve do të jetë shumë i kufizuar, pasi, siç bëhet e ditur, kapaciteti i këtij stadium është shumë i vogël, i cili në tribuna mund të zërë vetëm 2 mijë veta.

Hoxha: Si grup funksionojmë shumë mirë

Mbrojtësi i majtë i Feronikelit, Yll Hoxha, i ka thënë “Zërit” se skuadra e tij do ta japë maksimumin në mënyrë që të shpallet kampione, ndërsa këtë ndeshje e vlerëson si shumë të vështirë. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh faktin që Prishtina gjatë gjithë kohës na ka ndjekur dhe ka një skuadër mjaft cilësore”, tha Hoxha, teksa shtoi se Feronikeli në këtë ndeshje e ka përparësinë e terrenit vendas dhe paraqitjen para tifozëve të tyre. “Ne jemi në përparësi pasi luajmë si vendas para tifozëve tanë. Ne do ta japim maksimumin që të arrijmë fitore, e minimumi i kësaj ndeshjeje për ne është barazimi”, shprehet mbrojtësi i majtë i Feronikelit, Yll Hoxha.

Pyetjes së “Zërit” se në cilin repart mendoni se jeni më të fortë se Prishtina, Hoxha iu përgjigj: “Ne jemi si grup shumë i mirë, kështu që nuk do të bëj asnjë krahasim”, tha në fund Hoxha.

Joshin takimet në Ferizaj dhe në Suharekë

Në luftën për t’i ikur barazhit janë të përfshira katër skuadra, Drenica (40 pikë), Ballkani (40), Trepça ’89 (39) dhe Gjilani (38), që gjenden në pozitat 7.8.9 dhe 10. Përderisa Trepça ’89 e ka një sfidë të lehtë me KEK-un, kjo nuk mund të thuhet për Gjilanin, i cili udhëton për në Ferizaj, ku do të takohet me skuadrën me të njëjtin emër, e cila në pesë ndeshjet e fundit ka arritur po aq fitore. Një sfidë interesante do të zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani do të jetë mikpritës i Dritës, ndërsa në Prizren Drenica do të synojë fitore ndaj Lirisë, e cila trashmë është pjesë e Ligës së Parë.

E diel, ora 16:00

Ferizaji - Gjilani

Trepça ’89 - KEK-u

Feronikeli - Prishtina

Flamurtari - Llapi

Ballkani - Drita

Liria - Drenica