Punëtorët, të shqetësuar rreth barazisë gjinore në pozita të larta në AKP

Punëtorët, të shqetësuar rreth barazisë gjinore në pozita të larta në AKP

Aktuale April 16, 2024 - 14:08

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione të martën ka diskutuar lidhur me peticionin e punëtorëve të AKP-së. Në këtë mbledhje të Komisionit kanë qenë të ftuar përfaqësuesit e 23 punëtorëve nënshkrues.

Ndërsa, prezente ishte Drita Gjonbalaj, përfaqësuese e AKP-së, e cila tha se shpreh shqetësim lidhur me barazinë gjinore në pozita të larta në AKP.

Sipas Gjonbalajt, punëtorët në AKP po keqpërdorin pozitat e larta, kurse punën më të madhe e bëjnë gratë.

“Përkundër deklarimeve politike, gruas nuk i është dhënë hapësirë në çështje vendimmarrësve, përkundër faktit se ajo ka treguar potencial në sfera të ndryshme. Gratë në AKP kanë pozita të ulëta, është bërë diskriminim i madh i grave në pozita të larta drejtuese aty”, tha Gjonbalaj.

E njëjta shtoi se po dominon patriarkalizimi dhe po shkatërron institucionet e shtetit.

“Në konkursin e fundit kërkohet përvojë në pozita menaxheriale dhe të aplikojnë vetëm personat në pozita drejtuese. AKP ka bërë dhe po bën diskriminim gjinor ndaj meje dhe ndaj tjerëve. Në konkurse ftohen vetëm meshkujt, që nga viti 2008 udhëheqësit e AKP-së më kanë penguar të avancohem në detyrë. Kërkoj ta zbatoni vendimin e institucionit të avokatit të popullit të bëhet hetim si kanë ndodhur udhëheqja dhe si kanë ndodhur punësimit”, tha ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, kërkoi të dijë se pakënaqësitë e Drita Gjonbalajt a janë nga i gjithë Bordi i AKP-së, apo selektive.

Gjonbalaj, tha se ka kërkuar përmes sekretarisë së Bordit të shprehë shqetësimin e saj, mirëpo nuk i është dhënë mundësia të flasë. Tha se ka dërguar edhe e-mail lidhur me shqetësimet e saj, por që nuk janë adresuar.

E sipas Gjonbalajt kjo ka ndodhur si arsye për t’i mbajtur pozitat e tyre nga zyrtarët e AKP-së.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se pas mbledhjes së këtij Komisioni do të ftohen në takim kryesuesit e Bordit të AKP-së dhe menaxhmentit.

“Jemi shtet demokratik, çdo qytetar ka të drejtë të vijë dhe të prezantojë shqetësimin e tij dhe pastaj organet kompetente vijnë në një vendim. Ne si gra duhet të flasim deri në arritjen e barazisë që synojmë, ndër vite kam dëgjuar për forma të ndryshme të përvojave të punës krijimi i një përvoje menaxheriale dhe kalimi në pozitë të lartë, e kjo ka ndodhur më shumë me burra se me gra. Plotësim të legjislacionit, mundësi të barabarta dhe të kemi ligjin për siguri dhe barazi gjinore”, tha Kollçaku. /EO