Shala: Qeveria po sjell draftligje që prekin bazamentin juridik dhe ekonomik të sektorit të energjisë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK, Ferat Shala në sallën plenare tha se draftligjet e propozuara nga Qeveria e Kosovës prekin bazamentin juridik dhe ekonomik të sektorit të energjisë.
Shala deklaroi se Kosova duhet të ketë temë debati mënyrën e organizmit dhe daljes nga kriza globale duke maksimalizuar resurset energjetike pasi siç tha ai sektori i energjisë është sektor me interes nacional për vendin, raporton KlanKosova.tv.
“Qeveria po na sjell dy draftligje që prekin bazamentin strukturor juridik ekonomik dhe organizativ të sektorit të energjisë. Jeni dëshmitarë që i gjithë globi temë aktuale e ka energjinë, deri në shkallën e luftërave frontale për burime energjetike dhe asetet e tyre. Ndërsa, ne sot në vend që ta kemi në temë debati mënyrën e organizmit menaxhimit, daljes nga kjo krizë globale, maksimalizimin e resurseve, harmonizimin me politikat reale zhvillimore të vendit, ne na sjellet një paketë e ligjeve, ku komplet baza juridike ekonomike centralizohet, jashtë çdo parimi etik në raport me kohën, me tregun e punës, me zhvillimet globale, por mbi të gjitha me interesin tonë nacional, sepse energjia është interes nacional i vendit tonë”, tha Shala.