Haradinaj i kërkon Kuvendit të Kosovës organizimin e ceremonisë përkujtimore për Eliot Engelin
Foto: Laura Hasani

Haradinaj i kërkon Kuvendit të Kosovës organizimin e ceremonisë përkujtimore për Eliot Engelin

Aktuale April 17, 2026 - 09:44

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Kuvendin e Kosovës për organizimin e ceremonisë përkujtimore në nder të mikut të shqiptarëve, Eliot Engel.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se përmes kësaj iniciative Kuvendi i Kosovës do të shprehte mirënjohjen institucionale për kontributin e Eliot Engelit në shtetndërtimin e Kosovës, raporton KlanKosova.

“Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor ‘Eliot Engel’ dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Sot dorëzova zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Republikës së Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel.

Përmes kësaj iniciative, si Kuvend do të shprehim mirënjohjen tonë institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të
drejtë.

Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor “Eliot Engel” dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit.

Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar aleancën tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.