Ndotja kërcënon Liqenin e Badocit
Foto: Laura Hasani

Ndotja kërcënon Liqenin e Badocit

Aktuale April 20, 2026 - 23:53

Ka 9 vjet që është hartuar udhëzimi administrativ për mbrojtjen e resurseve ujore, por në terren është vepruar shumë pak. Sipas këtij dokumenti, liqenet akumuluese që përdoren për pije duhet të kenë zonim fizik dhe qarkullimi i veturave në afërsi të tyre duhet të ndalohet. Në mungesë të zonimit fizik, bregu i liqenit të Badocit vazhdon të jetë i ndotur nga mbeturinat.

Është njëra nga zonat me rëndësi kombëtare për ujë të pijshëm, por çdo ditë kanoset nga ndotja. Ata që po e vizitojnë liqenin e Badocit mbrapa tyre po i lënë mbeturinat, e përmes erës ato po futen në ujë. Rrezik mjaft serioz është edhe qarkullimi i shpeshtë i veturave në magjistralen Prishtinë - Gjilan prej të cilave uji që ne e konsumojnë aksidentalisht mund të kontaminohet me derivatet e automjeteve.

“Mund të jenë elemente kimike që ne nuk i vërej me sy, mund të jenë vajrat, vajrat e veturave që pikun apo rrjedhin aksidentalisht, në këto raste mund të jenë edhe mikroplastika temat për mikroplastik sot janë shumë aktuale dhe e gjithë kjo ndotje na kthehet në shëndetin tonë, më një ekosistem jo të shëndetshëm nuk mund ta kesh një popullatë të shëndetshme”, tha Ferdije Zhushi, biologe.

Sipas udhëzimit administrativ për mbrojtjen e resurseve ujore baza kryesore është zonimi fizik, e në mungesë të kësaj mbrojtje mbeturinat hidhen në bregun e liqenit. Kjo përgjegjësi i takon Ministrisë së Mjedisit ku në mungesë të inspektorëve zonat si kjo do të digjitalizohen.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me inspektoratin e ministrisë që e kemi këtu dhe po kërkojmë përgjegjësi prej tyre por shumë mirë i kuptojmë edhe limitet që i kemi andaj po synojmë që shumë shpejt ta digjitalizojmë inspektoratin që përveç inspktorëve ta kemi edhe teknologjinë e cila na ndihmon me shku në ato zonë ku nuk i kemi resurset njerëzore”, theksoi Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga ky burim me ujë të pijshëm furnizohen 25% e banorëve të Prishtinës dhe 105 fshatrat e saj./RTK