“Qytetarëve po u mungon alternativa”, Emir Abrashi flet për herë të parë si kryetar i ri i AKR-së
Në fundjavë Aleanca Kosova e Re (AKR) është bërë me kryetar të ri. Emir Abrashi ka marrë drejtimin e partisë. Ai ka thënë se në këtë kohë të krizave politike, synon që AKR-në ta bëjë alternativë për qytetarët.
Është dita e dytë në postin e ri. Emir Abrashi që nga e shtuna ka marrë drejtimin e partisë Aleanca e Kosova e Re, e cila që nga themelimi u udhëhoq nga ish-presidenti, Behgjet Pacolli.
Para se të hyjë në politikë, Abrashi ishte i angazhuar në shoqëri civile.
Për Tëvë 1, kryetari i ri i AKR-së ka treguar motivet që e shtynë të udhëheqë këtë parti.
“Të ndihmojë institucionet e Kosovës që të zgjidhin ngërçet por në anën tjetër po ashtu është qëllimi të sjellim një alternativë për qytetarët që në komunikimet e vazhdueshme shprehen se nuk shohim alternativë në Kosovë. Janë të pakënaqur me qeverisjen po ashtu janë të pakënaqur edhe me reformat që opozita i ka bërë dhe nuk e shohin opozitën si alternativë” , ka thënë Abrashi.
Mes të tjerash, ai ka treguar synimet për rritjen e AKR-së si parti politike.
“Qëllimi im është që në AKR-ja të sjellë figura të reja, ta bëjë partinë të hapur për publikun, të jetë këtu një vend ku vijnë idetë dhe ku nxirren politika progresive. AKR siç e dini është parti liberale rrjedhimisht ne kemi qasje liberale edhe ndaj politikës edhe ndaj ekonomisë”, u shpreh tutje Abrashi.
E në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin, Abrashi do të përballet me një sfidë të rëndësishme si kryetar i ri i AKR-së, zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Si parti, akoma nuk kanë një qëndrim nëse do të garojnë të vetëm, apo si pjesë e ndonjë koalicioni.
“Kjo është dita ime e dytë si kryetar i AKR-së, jam zgjedhur në mbrëmjen e së shtunës dhe është akoma herët, “unë jam duke analizuar se ku qëndrojmë si subjekt politik, jam duke analizuar se cilat janë kapacitet e si mund të riorganizohemi. Prandaj është herët të themi se si do të futemi në zgjedhje në rast që mbahen zgjedhjet. Për ngërçin politik për çështjen e Presidentit, Abrashi thotë se fajtore janë të gjitha partitë, të cilat sipas tij nuk po arrijnë ta vendosin interesin e vendit para interesave të tyre individuale”, theksoi Abrashi.