Delegacioni nga Kosova vizitë dyditore në ICMP

Delegacioni nga Kosova vizitë dyditore në ICMP

Aktuale April 23, 2026 - 23:00

Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona te Zhdukur dhe Institutit për Mjekësinë Ligjore, ka zhvilluar një vizitë dyditore në selinë e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), me qëllim forcimin e bashkëpunimit në procesin të zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit, delegacioni është pritur nga Drejtoresha e Përgjithshme dhe nga zyrtarët e ICMP-së të angazhuar në proceset e identifikimit shkencor, përkatësisht laboratorët e ADN-së, dhe në menaxhimin e të dhënave.

Gjatë takimeve janë trajtuar çështje kyçe që lidhen me metodat e avancuara shkencore në identifikim, adresimin e kërkesave dhe sfidave të përbashkëta , si dhe përmirësimin e mundshëm të procedurave dhe në përgjithësi rritjen e bashkëpunimit. Po ashtu, është diskutuar progresi në funksionalizimin e Bazës së të Dhënave, sistemit iDMS, dhe mundësitë për zgjerimin e tij përmes integrimit të të dhënave dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve, përfshirë edhe mundësinë për përdorimin e metodave të inteligjencës nga burime të hapura (OSINT).

“Delegacioni i Republikës së Kosovës falënderoi ICMP për organizimin e takimit dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se procesi ndodhet në një fazë të rëndësishme që krijon hapësirë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

Në këtë kuadër, u vlerësua puna dhe profesionalizmi i ekspertëve, si dhe dinamika e shtuar e institucioneve të Republikës së Kosovës, si në vlerësim të lokacioneve, po ashtu në angazhimin e trajtimit të rasteve të mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Gjithashtu është theksuar nevoja për angazhim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Vizita përfundoi me dakordim për hapa konkretë të mëtejmë dhe përcaktimin e prioriteteve për bashkëpunim, me fokus në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së procesit të identifikimit të personave të zhdukur”, thuhet në njoftim.

Republika e Kosovës , nga viti 2023 është shtet anëtar në Konferencën e Shteteve të ICMP-së.