Lista Serbe shpërthen pas vendimit për Banjskën: Hakmarrje, jo drejtësi
Lisa Serbe ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës ku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit për sulmin terrorist në “Banjskë”, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin u dënua me 30 vjet burgim.
Sipas reagimit të tyre, Lista Serbe pretendon se pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjska ku u vra polici Afrim Bunjaku u dënuan pa paraqitje të provave të vlefshme, pa përcaktimin e përgjegjësisë individuale dhe pa një shpjegim të qartë të veprimeve konkrete të ndërmarra nga të pandehurit.
Tutje sipas tyre, ky vendim i gjykatës nuk do ta kënaqë drejtësinë apo palët e dëmtuara dhe se siç pretendon Lista Serbe përfaqëson një hakmarrje që kërcënon më tej sigurinë dhe të drejtat e popullit serb.
“Një vendim i tillë përfaqëson një shkelje të rëndë të parimeve themelore të drejtësisë dhe të gjykimit të drejtë. Është e papranueshme që vendime të kësaj madhësie të jepen kaq shpejt pa një procedurë transparente dhe prova bindëse, gjë që e thellon më tej mosbesimin e popullit serb ndaj institucioneve në Kosovë. Me shqetësim të veçantë është fakti se serbëve në Kosovë u atribuohen lehtësisht cilësimet më të rënda, si terrorizëm dhe krim, pa asnjë bazë reale në prova. Në të njëjtën kohë, drejtësia mungon për viktimat serbe, rastet e të cilave kanë mbetur pa një epilog gjyqësor për vite me radhë. Kujtojmë gjithashtu rastin e plagosjes së Stefan dhe Millosh Stojanoviq në prag të Krishtlindjes, për të cilin publiku ende nuk ka marrë një përgjigje dhe drejtësi të kënaqshme”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Tutje, nëpërmjet këtij reagimi, Lista Serbe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë dhe të sigurojë respektimin e sundimit të ligjit dhe të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht kombësisë, sepse, siç thuhet, procese të tilla gjyqësore janë dëshmi se gjykatat e Kosovës nuk gjykojnë sipas ligjit dhe drejtësisë, dhe as serbëve nuk u garantohet e drejta për një gjykim të drejtë.
“Ne presim që trupi apelues që do të veprojë mbi ankesën e personave të autorizuar duhet të përbëhet, në përputhje me marrëveshjen për gjyqësorin, nga një shumicë gjyqtarësh të nacionalitetit serb”, përfundon deklarata e Listës Serbe.
Kujtojmë se deputetët e Listës Serbe kanë lëshuar seancën plenare në Kuvendin e Kosovës pasi kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, dha lajmin për dënimin, teksa nga deputetët u prit me shumë duartrokitje./dukagjini