Kurti u drejtohet qytetarëve pas dështimit të marrëveshjes për presidentin, fajin ia hedh opozitës
Foto: Laura Hasani

Kurti u drejtohet qytetarëve pas dështimit të marrëveshjes për presidentin, fajin ia hedh opozitës

Aktuale April 24, 2026 - 20:10

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është arritur marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Në një postim të gjatë në Facebook drejtuar qytetarëve, kreu i ekzekutivit fajësoi partitë opozitare për mos arritjen e akordit.

Ai tha se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja dhe të ecë drejt zgjedhjes së presidentit, teksa shtoi se “qytetarët e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Kurti theksoi se problemi kryesor mbetet sigurimi i 80 deputetëve për kuorum në çështjen e presidentit dhe, sipas tij, zgjedhjet nuk do të sillnin zgjidhje.

Ai tha se LVV ka siguruar shumicën e votave dhe deputetëve në zgjedhjet e fundit, duke kërkuar që ky rezultat të merret parasysh nga partitë tjera në proceset politike dhe vendimmarrje.

“LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë”, deklaroi Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes tha të ketë ofruar disa alternativa për zhbllokimin e situatës politike, por që sipas tij janë refuzuar nga opozita.

Ai tha se i kishte ofruar LDK-së bashkëqeverisje me postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, por oferta ishte refuzuar.

Po ashtu, Kurti deklaroi se i kishte propozuar si LDK-së, ashtu edhe PDK-së, të merrnin pozitën e kryetarit të Kuvendit, por që sipas tij, kjo ishte refuzuar nga të dyja palët.

“Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo”.

“Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut”.

Kurti kritikoi edhe krerët e opozitës, duke thënë se ata nuk po synojnë pushtet apo përgjegjësi.

“Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, përfundoi Kurti.