Përkujtohet dëshmori Gëzim Sahiti, motra: Ishte i hareshëm, këndojke kah shkojke [video]
Kujtimet për të nuk nisin me luftën. Për Sevdije Tahirin, Gëzimi mbetet i vogli i shtëpisë.
Por kjo pamje ndryshoi në prag të luftës.
Ky i fundit nga Italia ku kishte shkuar për punë, vendosi të kthehej dhe të bashkohej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Telefonata e 21 marsit 1999 ishte hera e fundit që familja e dëgjoi zërin e tij.
“Gëzimi si vëlla shumë o kon i hareshëm, ka shkojke këndojke. Edhe u nis për mërgim, shkoj në Itali. Kur shkoj në Itali, i ra me thënë pesë-gjashtë muaj. Edhe na ka thirrë në telefonatë, 21 mars ’99. Ka folë me krejt anëtarët e familjes. Ai na thojke neve ‘janë tu dalë në Francë, ai veç ishte kon tu u përgatit në Shqipëri, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Edhe kur ka ardhë lajmi, unë nuk jam kon në Kosovë, në Francë kam qëlluar si refugjatë që na çunë prej lufte. Aty mu m’kanë thënë që u plagos. Unë njëherë kam thënë jo, se sa i thonë u plagos po e vrasin, i kqyra shumë lajmet edhe i pashë këta djemtë tanë që vriteshin. Pastaj s’disha qysh me marrë, me kuptu të vërtetën. Mixhën e kam pasë në Gjermani edhe e kena gjetë dyqysh numrin edhe mixha na ka dhanë lajmin, tha duhet me u bë të fortë, se Gëzimi o vra”, thotë Sevdije Tahiri.
Tahiri që asokohe kishte qenë në Francë, tregon që pas lajmit të kobshëm, u kthye në Kosovë.
“S’kam nejtë shumë në Francë, jam kthy. Kur kam ardhë këtu, ka qëllu rivarrimi prej Shqipërie që i kanë pru, Bajram Curri, në Koshare kur janë varrosë, kam qëlluar këtu”.
Në çdo përvjetor të Gëzimit, përveç dhimbjes, ajo thotë që ndjehen edhe krenarë.
“Edhe mërzi, edhe krenari. Që edhe sot busti u zbulu, krenar jam me të edhe shumë i falënderojmë të gjithë që kanë kontribu për këtë ditë, sot, me u ngritë ky bust i vllaut”.
Këtë të shtunë, në vendlindjen e dëshmorit Gëzimi Sahiti në Pojatë të Ferizajt, u përurua edhe busti në bronz, 27 vite pas rënies së tij. /tëvë1