IKSHPK-ja alarmon për ndotjen e ajrit: Rrezik serioz për shëndetin publik, kërkohen masa urgjente
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për nivelin e ndotjes së ajrit në vend, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve.
Në një komunikatë për media, IKSHPK-ja thekson se ndotja e ajrit, e nxitur kryesisht nga sektori energjetik, përbën emergjencë të shëndetit publik.
Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, rreth 40% e emisioneve ndotëse vijnë nga ky sektor.
Në fokus të shqetësimit janë termoelektranat Kosova A dhe Kosova B, të cilat përdorin thëngjillin dhe lëshojnë në ajër substanca të rrezikshme si ozoni, oksidet e azotit, dioksidi i squfurit dhe grimcat e imta PM10 dhe PM2.5. Sipas IKSHPK-së, ditëve të fundit është vërejtur ndotje e theksuar nga tymtarët në zonën e Obiliqit.
Instituti paralajmëron se mbi 90% e grimcave të thithura ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin respirator, duke rritur rrezikun për infeksione, sidomos te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Efektet e ndotjes përfshijnë rritje të mortalitetit, përkeqësim të sëmundjeve si astma dhe bronkiti, dëmtime në sistemin kardiovaskular, irritim të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes, si dhe ndikime potenciale kancerogjene.
IKSHPK-ja ka propozuar një sërë masash urgjente, përfshirë monitorim në kohë reale të ndotjes nga KEK-u, kontroll të rreptë të filtrave të termocentraleve, inspektime të shpeshta dhe investime në teknologji për reduktimin e emetimeve.
Po ashtu, janë rekomanduar masa për mbrojtjen e shëndetit publik, si krijimi i sistemeve të informimit në situata emergjente, rritja e hapësirave të gjelbra dhe zbatimi rigoroz i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.
Ekspertët e IKSHPK-së paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, pritet rritje e ndjeshme e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore. /Zëri