Kusari-Lila takoi sekretarin e RCC-së, në fokus bashkëpunimi rajonal
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në kuadër të “Kosova Finance Forum 2026” ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Amer Kapetanoviq, me të cilin ka diskutuar për prioritetet kyçe të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit ekonomik.
Gjatë takimit, në fokus ka qenë avancimi i agjendës së integrimit dhe zbatimi i obligimeve në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë hapat konkretë që lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.
Ministrja ka theksuar edhe veprimet që po ndërmerr ministria për zhvillimin e infrastrukturës industriale, me theks të veçantë në parqet industriale të gjelbra, investimet e qëndrueshme dhe reformat institucionale për gjithëpërfshirje.
Ajo ka vënë në dukje se ratifikimi në Kuvendin e Kosovës i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s dhe tri protokolleve të CEFTA-s, përkatësisht protokollet 5, 6 dhe 7, përbën një mekanizëm të rëndësishëm për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për rritjen e potencialit të parqeve industriale në përputhje me politikat e gjelbra, si një model për tërheqjen e investimeve, si dhe për përkushtimin institucional për zhvillim gjithëpërfshirës përmes krijimit të divizioneve për barazi gjinore dhe për komunitetet jo-shumicë në kuadër të Agjencisë së re për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor për ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, të qëndrueshme dhe të integruar në tregjet evropiane.