Tahiri: Veprimet e Kurtit po e rrezikojnë procesin kushtetues për zgjedhjen e presidentit
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Veprimet e Kurtit po e rrezikojnë procesin kushtetues për zgjedhjen e presidentit

Aktuale April 28, 2026 - 21:20

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, qasjen jokushtetuese në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ai theksoi se Kosova po përballet me një nga sfidat më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit janë shqetësuese.

“Orët e fundit, Kosova ka qenë duke u përballur me sfidën më të madhe që nga koha kur është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Tendenca për ta zgjedhur presidentin në mënyrë jokushtetuese ka qenë shqetësuese”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët dhe jo temë për përplasje politike.

“Zgjedhja e presidentit është preokupim i të gjithëve. Nuk do të doja të isha në konferencë për këtë temë”, u shpreh ai.

Tahiri shtoi se PDK-ja ka paralajmëruar edhe më herët për këtë situatë, duke theksuar se veprimet e Kurtit, veçanërisht pas 28 dhjetorit, kanë penguar krijimin e shumicës dhe arritjen e konsensusit.

“E kemi alarmuar edhe në komunikimet publike se z. Kurti, me strategjinë dhe veprimet e tij, sidomos pas datës 28 dhjetor, ka vepruar në mënyrë që kjo legjislaturë të mos arrijë të ndërtojë shumicën dhe konsensusin për ta zgjedhur presidentin”, përfundoi Tahiri.