Avokati i Popullit u drejtohet SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për gjetjet mbi Dhomat e Specializuara
Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës, përmes Avokatit të Popullit Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime lidhur me gjetjet e tij.
Letra, e dërguar përmes kanaleve diplomatike, i është adresuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, si dhe ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.
Po ashtu, raporti u është përcjellë edhe drejtuesve të institucioneve kryesore evropiane, përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Kaja Kallas dhe Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, si dhe zyrtarë të Këshillit të Evropës.
Sipas njoftimit, në letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime lidhur me garantimin e të drejtës për gjykim të drejtë në procedurat e Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke u bazuar edhe në gjetjet e një vlerësimi të pavarur të realizuar nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales”.
Raporti, sipas tij, ka evidentuar probleme që lidhen me parimet themelore procedurale, përfshirë transparencën, paanshmërinë dhe barazinë e armëve, të garantuara nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit thekson se këto standarde janë të përcaktuara në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës.
Në letër nënvizohet se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë, ndërsa institucionet e Kosovës, sipas tij, kanë treguar përkushtim të vazhdueshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare, përfshirë themelimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.
Po ashtu, theksohet se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë paraqitur vullnetarisht para këtij mekanizmi, si dëshmi e angazhimit institucional për bashkëpunim dhe llogaridhënie në nivel ndërkombëtar. /Zëri