IKD-ja publikon raportet: Mungesa e prokurorëve po ndikon në zvarritjen e rasteve në gjykata

IKD-ja publikon raportet: Mungesa e prokurorëve po ndikon në zvarritjen e rasteve në gjykata

Aktuale May 06, 2026 - 12:14

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka organizuar tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar dy raporte të cilat trajtojnë rastet në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda dhe të Departamentit të Përgjithshëm- Divizioni Penal.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se në prokuroritë themelore në Kosovë është problematike numri i vogël apo i kufizuar i prokurorëve.

“Në disa prokurori kemi parë që ka numër të kufizuar ose të vogël të prokurorëve”, tha Mifaraj, duke treguar se përveç që kanë bërë monitorim të seancave, aktgjykimeve, kanë pasur takime edhe me kryetarë të gjykatave dhe me kryeprokurorë.

Ai tha se në këto takime kanë shkëmbyer informata, e po ashtu kanë marrë edhe komente të cilat më pas kanë shërbyer në raportet që u publikuan sot.

Miftaraj shtoi se nga këto raporte del se prokuroritë themelore në Kosovë përballen me numër të kufizuar ose të vogël të prokurorëve dhe që kjo më pas ndikon edhe në punën e gjykatave.

“Në takimet që kemi pas me kryetarë të gjykatave, na kanë thënë se shumë seanca shtyhen që nuk ka prokurorë të mjaftueshëm për të marrë pjesë në këto seanca”, tha Miftaraj.

Ndër problemet tjera që janë evidentuar ndërkohë e po ashtu edhe nga këto takime, Miftaraj tha se është edhe mungesa e përkthyesve, kryesisht ata të gjuhës serbe, sfidë kjo që prek sistemin gjyqësor.

Ndërsa, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se prokuroritë themelore në vend kanë një ngarkesë të lartë sa i përket numrit të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve.

Gjatë publikimit të raporteve që tregojnë për situatën në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni Penal, Shala tha se raportet janë përpiluar duke u bazuar në analizë direkte të aktakuzave dhe aktgjykimeve, edhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha gjykatat dhe prokuroritë.

“Gjetjet tregojnë se sa i përket departamenteve të përgjithshme në nivel vendi, ka një bilanc negativ se prokuroritë nuk kanë arritur që të zgjidhin lëndë aq sa kanë pranuar- përjashtim në këtë rast bën vetëm Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka arritur që të zgjidh 192 raste më shumë sesa që ka pranuar”, tha Shala.

Shala tha se kanë analizuar edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me ngarkesën e prokurorive në raporte me numrin e prokurorëve.

“Gjetjet tregojnë se ngarkesa është relativisht e lartë për shkak se mesatarssht në nivel vendi, një prokuror ka mesatarisht 519 raste në punë. Mirëpo, edhe në raport me ngarkesën me numer të lëndëve ka një diskrepancë të madhe dhe dallime në mes prokurorive”, u shpreh Shala.

Ai tha se Gjakova dhe Mitrovica kanë numrin më të madh të lëndëve në raport me prokurorë, ndërsa numrin më të vogël e ka Prizreni.

Shala tha se këto mosbarazi duhet të trajtohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në kuptim të gjetjes së ekuilibrit në mes të numrit të lëndëve në punë dhe numrit të prokurorëve.

Kurse, sa i përket aplikimit të masës së konfiskimit dhe sekuestrimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, numri më i lartë qëndron në rastet e përgjithshme sesa në ato të korrupsionit.

“Prapë se prapë, aplikimi i saj është më i lartë në rastet e përgjithshme sesa në rastet e korrupsionit. Në rastet e korrupsionit, mesatarja e parashtrimit të kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim është vetëm 19%”, tha Shala. “Sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit, gjetjet tregojnë se vetëm në 32% të rasteve është parashtruar kërkesë për sekuestrim dhe konfiskim të aseteve që derivojnë nga vepra penale duke pasur parasysh që jo në secilin rast kjo masë është e aplikueshme pasi kjo varet edhe nga natyra e rasteve”, tha ai.

Ndërsa, për reagimin e Prokurorit të Shtetit, Shala theksoi se ka qenë relativisht i shpejtë, gjithnjë duke u bazuar në gjetjet e raportit.

“Ka gjetur se reagimi i Prokurorit të Shtetit ka qenë relativisht i shpejtë për shkak se shumica e aktakuzave të ngritura që kanë qenë objekt për qëllime të këtij raporti kanë qenë për vepra penale të kryera gjatë vitit 2025, gjatë po të njëjtit vit janë ngritur edhe aktakuzat nga ana e Prokurorit të Shtetit”, tha Shala.

Milbert Dongjoon Shin, zëvendës-shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka thënë se ka qenë kënaqësi të mbështesin raportet e Institutit të Kosovës për Drejtësi, për të cilat tha se janë krijuar me besim të mirë, integritet dhe në frymën e shkëmbimit të përvojave me gjykatat dhe prokuroritë.

“Raportimi është bërë me integritet. Kam vërejtur se edhe gjyqtarët e kanë kuptuar- është vërejtur një frymë bashkëpunuese dhe kjo për neve është e rëndësishme”, ka thënë ai.Milbert Dongjoon Shin shtoi se janë të rëndësishme edhe rekomandimet që dalin nga raportet se ku mund të bëhen përmirësime. “Ky proces monitorimi është bërë me kujdes shumë të madh dhe me një sistem të bazuar në dëshmi që mundëson edhe politkëbërësit të bëjnë përmirësimet”, ka shtuar ai.

Ngadhënjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke folur për gjetjet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve në Krime të Rënda prej më shumë se 1 mijë ditë, është shqetësuese.

“Megjithatë, duhet të hulumtojmë më shumë lëndët se pse presin kaq gjatë, sepse mund të ndodhë që këto vonesa të vinë edhe për shkak të rrethanave tjera objektive, qoftë sigurimi i të pandehurve në procedurë”, tha ai.

Duke folur për statistikat, Arrni tha se qoftë te Krimet e Rënda, qoftë te Departamenti i Përgjithshëm, statistikat bëhen të përbashkëta me rastet në procedurën paraprake dhe ato të përfunduara në shqyrtim gjyqësor.

“Çështjet e procedurës paraprake nuk varen nga roli aktiv i gjykatave apo nga roli aktiv i vetë prokurorive, pastaj statistika e rasteve të përfunduara zbehet si pasojë e rasteve në procedurë paraprake”, u shpreh Arrni, duke thënë se Departamenti i Krimeve të Rënda ka pasur efikasitetin 126%, kurse ai i Përgjithshmi mbi 100%.

I pari i Gjykatës në Prishtinë, lidhur me kërkesat pasurore-juridike tha se në shumë raste e kanë të pamundur për të vendosur për shkak të pasivitetit të palëve në procedurë, por theksoi se duhet të jenë vetëkritik.

“Sepse vlerësoj që raste të shumta në Departament të Përgjithshëm kanë të bëjnë me raste të vjedhjeve, qoftë vjedhje të rrymës apo vjedhje në kuptimin financiar, pastaj vjedhje të pyllit, raste që vinë nga Dogana. Vlerësoj që nuk ka asnjë pamundësi që Gjykata të vendos për kërkesa pasurore-juridike. Madje, për mua është e pakuptimtë nëse ne si gjykata specifikojnë në mënyrë eksplicite shumën për të cilën e kemi dënuar një palë dhe në të njëjtën kohë nuk obligojmë për kërkesa pasurore-juridike”, ka shtuar ai.

Lidhur me dënimet plotësuese, Arrni deklaroi se është momenti i fundit të reflektojnë, duke thënë se vlerëson që ka një keqkuptim kur priten propozime nga prokurori i shtetit për dënimet plotësuese.

“Vlerësimi im personal është që sanksioni penal është diçka që e jep gjykata dhe në të njëjtën kohë qëllimi që duhet të arrihet me sanksionin penal i cili është vështirë i arritshëm pa dënime plotësues”, u shpreh Arrni.

E, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj tha se prokurorët janë të ngarkuar më shumë me lëndë sesa nga çka është përcaktuar me normën orientuese.

Ajo tha se gjetjet e raporteve të IKD-së tregojnë se Prokurori i Shtetit e ka përmbushur detyrën dhe ka kryer obligimin sipas përgjegjësisë.

“Në raport me numrin e lëndëve të pranuara determinon që Prokurori i Shtetit është i ngarkuar me numrin e lëndëve më shumë sesa që është përcaktuar me normën orientuese”, tha Vuçetaj. /EO