Nga 300 inspektime, gati gjysmës së vendpunishteve iu ndaluan punimet
Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se, në zbatim të vendimit të ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor, ka realizuar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit, raporti paraqet rezultatet përmbledhëse të inspektimeve të zhvilluara në kuadër të këtij aksioni.
Nga Inspektorati është bërë e ditur se numri total i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje, ndërsa të gjitha subjektet ndaj të cilave është shqiptuar masa e ndalimit të punimeve do të procedohen në gjykatë për kundërvajtje lidhur me shkeljet e konstatuara.
Sipas raportit, deri tani nga 300 inspektime, 126 prej tyre janë ndalur punimet, transmeton Zeri.info.
Po ashtu, është theksuar se procesi i riinspektimeve do të vazhdojë në ditët në vijim, bazuar në afatet e përcaktuara nga inspektorët për eliminimin e parregullsive në sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit, eliminimi i parregullsive nënkupton ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga subjektet e inspektuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë.
Inspektorati ka sqaruar gjithashtu se rastet e proceduara në polici kanë të bëjnë me punëkryerës ose investitorë që kanë vazhduar punimet në kundërshtim me vendimet për ndalim të punimeve, si dhe me dëmtimin e shiritit ndalues.
Në njoftim thuhet se shifrat e paraqitura në tabelë përfshijnë të dhënat deri më 30 prill 2026, ndërsa aksioni ka vazhduar edhe pas kësaj date me aktivitete monitorimi dhe riinspektimi ndaj subjekteve ku janë evidentuar parregullsi. /Zëri