Fevziu publikon përgjigjet e patransmetuara të Thaçit në intervistën në Hagë

Fevziu publikon përgjigjet e patransmetuara të Thaçit në intervistën në Hagë

Aktuale May 08, 2026 - 11:10

Moderatori shqiptar Blendi Fevziu ka publikuar përgjigjet e patransmetuara të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë intervistës së tij në Hagë.

Sipas Fevziut, përgjigjet ishin hequr nga transmetimi në emision për shkak që pyetjet ishin bërë në nëntor të vitit paraprak dhe ato nuk kishin relevancë kohore. Megjithatë, pas presionit të publikut, ai ka publikuar të dy përgjigjet e Thaçit.

I pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, ish-kreu i PDK-së tha shkurtimisht se nuk ka koment.

Ndërsa në pyetjen tjetër, Fevziu kërkoi opinionin e Thaçit rreth bashkëpunimit eventual mes PDK-së dhe LVV-së për çështjen e presidentit, kurse ish-kryeministri i Kosovës tha se Kosova ka nevojë për konsensus më të gjerë politik.

“Do të duhej të ndodhte një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet… Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare”, deklaroi ai.

Thaçi tha se Kosova duhet të ketë ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli.

“Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u tha ai.