KQZ: Afati për subjektet e reja politike mbyllet në mesnatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orën 24:00 përmbyllet afati për subjektet e reja politike për aplikim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se procesi i certifikimit vlen vetëm për subjektet e reja politike.
“Deri në orën 24 sonte, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, ka theksuar Elezi.
Ndërkohë, deri më 12 maj është afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë nga të gjitha subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Deri më tash, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme./rtk