Gërvalla viziton “Diakonie Kosova”: Përfshirja sociale nuk është zgjedhje politike, por përgjegjësi shtetërore
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, vizitoi organizatën joqeveritare “Diakonie Kosova”, me seli qendrore në Gjermani, dhe e cila operon në Kosovë prej rreth 25 vitesh, duke ofruar një gamë të gjerë programesh në zyrat e saj në Mitrovicë dhe Fushë-Kosovë.
“Gjatë vizitës sime në organizatën Diakonie Kosova, pashë se si përfshirja sociale merr kuptim të vërtetë vetëm kur shndërrohet në punë të përditshme dhe në kujdes të sinqertë për njerëzit. Aty nuk flet teoria. Flet puna. Flet përkushtimi i atyre që çdo ditë hapin dyert për gra, vajza dhe familje që po ndërtojnë një fillim të ri”, tha Gërvalla.
Në ambientet e “Diakonie Kosova”, Ministrja Gërvalla takoi gra dhe vajza që përmes trajnimeve në rrobaqepësi, kuzhinë dhe parukeri fitojnë aftësi të reja, teksa u theksua edhe rëndësia e mbështetjes psikologjike dhe kujdesit shëndetësor, që u jep njerëzve jo vetëm shërbim, por stabilitet dhe besim, qetësinë dhe mbështetjen e duhur.
Gjatë vizitës, Gërvalla theksoi rëndësinë e nismave që kontribuojnë në përfshirjen sociale dhe në krijimin e mundësive të barabarta për qytetarët, duke nënvizuar se kjo punë nuk duhet parë si ndihmë në një drejtim, por si bashkëpunim që i forcon institucionet, organizatat dhe vetë komunitetet.
“Si institucione, kemi detyrim që këto modele të mirëfunksionimit t’i mbështesim, t’i forcojmë dhe t’i zgjerojmë. Sepse përfshirja sociale nuk është zgjedhje politike. Është përgjegjësi shtetërore”, tha Gërvalla. /Zëri


