Pacolli: Komuna e Pejës i ka “mbyllur veshët”, vendimi për Rugovën është i përkohshëm
Foto: Laura Hasani

Pacolli: Komuna e Pejës i ka “mbyllur veshët”, vendimi për Rugovën është i përkohshëm

Aktuale May 22, 2026 - 13:27

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka mbajtur konferencë për media pas protestës së banorëve të Rugovës kundër vendimit për ndalimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë. Ajo tha se kërkesat e banorëve janë dëgjuar dhe se ministria ka ofruar zgjidhje për problemet e krijuara nga mungesa e planeve rregulluese për zonën. Ajo gjithashtu kritikoi komunën e Pejës.

“Atëherë, ashtu siç e patë, këtu tek Ministria jonë kanë ardhur banorët prej Rugovës, të cilët unë dëgjova kërkesat e tyre. Tek kjo kërkesë i kam dëgjuar dhe i kam marrë me shkrim, i kam analizuar, edhe ne kemi ofruar zgjidhje për problemin i cili është krijuar këtu. Tani ju e dini që vendimi për t’i shpallë parkun nacional shkallë edhe parkun Bjeshkët e Nemuna, është marrë në fillim të vitit 2012-2013, e cila ka marrë një kohë derisa është miratuar edhe është përcaktuar si zonë”, ka shtuar Pacolli.

“Pastaj, prej 2012 deri në 2022, nuk ka pasur asnjë plan hapësinor për të dyja parqet. Dhe kjo rrjedhimisht ka bllokuar qytetarët që të ndërtojnë në mënyrë të drejtë, pra në përputhje me ligjin, edhe në mënyrë që t’i sigurojmë atyre që kur të ndërtojnë, nuk del askush me ia urdhëruar, shtëpi që i ndërtojnë me djersën e ballit të tyre. Kur ka, kur kam ardhur unë në Ministri e kam analizuar dhe kam parë që Komuna e Pejës, nuk e ka hartuar planin rregullues. Pra, prej vitit 2022, kur Komuna e Pejës e ka pasur të drejtën edhe obligimin ta bëjë planin rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna, ajo nuk e ka bërë këtë plan. Dhe rrjedhimisht, qytetarët edhe sot, janë pa të drejta ligjore që u takon edhe jua garanton Kushtetuta, që në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin, të ndërtojnë në trevat e tyre”, tha ajo.

Pacolli deklaroi se ekzistojnë vendime të prera të gjykatave për rrënimin e objekteve në parqet kombëtare dhe se kjo situatë është rezultat i mungesës së veprimit institucional nga Komuna e Pejës.

“Ashtu siç e thanë edhe qytetarët jashtë, ne kemi një numër të vendimeve të prera, pra vendimi i prerë prej gjykatës, që ne t’i rëndojmë një numër të madh të vilave, nëpër parqet kombëtare.

Kur i kam parë ato vendime, tash po flas drejt sepse ne jemi qytetarë, jemi njerëz të këtij vendi edhe secili qytetar që nuk ka ndonjë biznes, nuk ka ndonjë përfitim të madh, pra nuk ndërton hotel në Bjeshkët e Rugovës, por secili qytetar që e ka një copë tokë aty, ka dashur me ndërtu edhe t’ia bllokojë Komuna, mbas me hartuar planin rregullues, qytetari është i detyruar me ndërtua në mënyrë të jashtëligjshme.

Kur më bien vendimi i prerë prej gjykatës që duhet me rrënu, unë po ju them që më dhemb zemra me dalë me rrënu, një vilë, një shtëpi malore, vetëm se institucionet nuk i kanë dhënë përgjigje, pra Komuna i ka mshehë veshët”, theksoi Pacolli.

Ajo shtoi se vendimi për ndalimin e përkohshëm është marrë për të parandaluar ndërtimet e paligjshme derisa të përfundojnë procedurat administrative dhe të hartohet plani rregullues për zonën e Bjeshkëve të Nemuna.

“Çfarë kam bërë unë si Ministre? E para ato vendime të prera të gjykatave, kam thënë që është shumë e padrejtë mos me i informuar qytetarët edhe mos me marrë një masë ndaluese, derisa t’i rregullojmë procedurat administrative, që qytetarët të kenë të drejtën të marrin leje. Edhe vendimi që ju informova banorët, është vendim i përkohshëm.

Në ditën kur e kam marrë vendimin të nesërmen, i kam dërguar një letër të hapur kryetarit të Pejës, edhe i kam thënë që, është e domosdoshme të hartojmë planin rregullues për Bjeshkët e Nemuna, në mënyrë që qytetarët të ndërtojnë në mënyrë të rregullt, pra t’ia respektojmë një të drejtë që jua garanton Kushtetuta.

Po ashtu i kam thënë që nëse Komuna nuk ka kapacitete, qoftë njerëzore, qoftë teknike, ne si Ministri jemi të gatshëm, komplet kapacitetet njerëzore e teknike që kam brenda Ministrisë, t’i angazhoj që t’i ndihmojnë kryetarit të Komunës së Pejës, ta bën planin rregullues.

Komuna e Pejës, si zakonisht, kryetari aktual i Pejës, i ka mbyllur veshët, edhe nuk ka dashur as me dëgjua, edhe siç e patë që jashtë, ai edhe i ka organizuar disa, sepse aty në protestë patë qytetarë që janë, ju kanë mohuar, ju ka mohuar të drejta me ndërtu me vite e vite të bëra. E shumë prej tyre që kanë ndërtuar e frikësohen edhe natën e thatë se mos po shkojnë ndonjë institucion t’ia rrënojnë. E unë me këtë vendim, unë është dashur me ndalë këtë problematikë. Se nuk mundem me leju që brenda mandatit tim, me u ndërtu në mënyrë jo ligjore e mos me bë asnjë hap për me ua rregullu mundësinë, me ju hapë të drejtën, me ja u jap të drejtën qytetarëve me ndërtu në mënyrë të ligjshme”, shtoi ajo. /eo