Në Spitalin e Pejës realizohet për herë të parë një operacion i rrallë
Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar për realizimin me sukses të një ndërhyrjeje të rrallë kirurgjikale, e cila është kryer për herë të parë në një institucion shëndetësor publik në vend.
Bëhet fjalë për nefrektominë laparaskopike, një procedurë moderne dhe minimalisht invazive, e cila shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e kirurgjisë bashkëkohore.
Sipas njoftimit, intervenimi është realizuar me profesionalizëm të lartë nga urologu dr. Shkëlzen Elezaj.
Në suksesin e kësaj ndërhyrjeje kanë kontribuuar edhe ekipet e Repartit të Urologjisë, Repartit të Anestezionit dhe Kujdesit Intensiv, të cilat janë vlerësuar për punën dhe bashkëpunimin e tyre.
Mirënjohje e veçantë i është shprehur kirurgut dr. Naim Loxha për angazhimin dhe kontributin profesional, si dhe dr. Liridon Elezaj për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë procesit.
Spitali ka theksuar se ky sukses dëshmon përkushtimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe avancimin e kapaciteteve profesionale në vend. /Zëri