Kurti përkujton Masakrën e Dubravës: Emrat e viktimave janë aktakuzë e përhershme për krimet e kryera

Kurti përkujton Masakrën e Dubravës: Emrat e viktimave janë aktakuzë e përhershme për krimet e kryera

Aktuale May 22, 2026 - 14:44

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Dubravë, në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës së ndodhur në Burgun e Dubravës ndërmjet 19 dhe 24 majit 1999.

Në fjalën e tij, Kurti tha se të burgosurit politikë shqiptarë u vranë mizorisht, duke e cilësuar Dubravën si një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.

“Emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial, janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se masakra e Dubravës përbën dëshmi të ekzekutimeve masive dhe trajtimit çnjerëzor ndaj të burgosurve shqiptarë, duke shtuar se ajo mbetet simbol i qëndresës dhe shpirtit liridashës të tyre.

Kurti kujtoi se nga rreth 980 të burgosur shqiptarë, 116 u vranë dhe 185 u plagosën, ndërsa Ukshin Hoti u përmend si i zhdukur me dhunë.

Sipas tij, Republika e Kosovës ka obligim moral dhe shtetëror të ruajë kujtesën historike dhe të kërkojë drejtësi për viktimat.

“Dubrava mbetet dëshmi për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të Konventave të Gjenevës”, tha Kurti, duke shtuar se liria e Kosovës është amanet i të rënëve dhe sakrificës së shumë brezave.

Në fund të fjalimit, Kurti bëri thirrje për ruajtjen e kujtesës historike dhe nderoi të gjithë viktimat dhe të mbijetuarit e masakrës. /Zëri

Image