Serbia nën hijen e mafias, dokumentari që zbulon kasaphanën e klanit Belivuk

Serbia nën hijen e mafias, dokumentari që zbulon kasaphanën e klanit Belivuk

Aktuale May 25, 2026 - 20:31

Një shtëpi e zakonshme në periferi të Beogradit, e fshehur pas pamjes së një objekti rezidencial, ishte shndërruar në një nga qendrat më famëkeqe të torturës dhe ekzekutimeve të mafias ballkanike.

Një investigim i detajuar, i bazuar në aktakuzat e Prokurorisë për Krim të Organizuar në Serbi, raportimet e OCCRP dhe portalit investigativ serb KRIK, zbulon mënyrën se si grupi kriminal i Veljko Belivukut operonte një “thertore njerëzore” për eliminimin e rivalëve.

Sipas hetimeve, hyrja drejt dhomës së torturës fshihej në garazhin e një shtëpie në lagjen Ritopek pranë Beogradit. Pas një kapaku të fshehtë dhe një korridori të ngushtë nëntokësor, ndodhej një dhomë e bardhë me dysheme të errët dhe pajisje industriale, ku anëtarët e grupit kriminal dyshohet se torturonin, vrisnin dhe copëtonin trupat e viktimave.

Hetimet tregojnë se grupi i Belivukut, i lidhur me klanin mafioz malazez Kavac, përdorte një makineri industriale për bluarjen e mishit me qëllim zhdukjen e plotë të kufomave dhe provave materiale. Mbetjet, sipas prokurorëve, hidheshin në lumin Danub, ndërsa rrobat dhe sendet personale të viktimave digjeshin.

Në qendër të këtij rrjeti ishte Veljko Belivuk, lider i grupit huligan “Principi”, i cili kishte dalë nga grupi i tifozëve “Janjiçari” të klubit Partizan të Beogradit. Fillimisht i njohur si lider huliganësh në stadiume, Belivuk më pas u shndërrua në një aleat kyç të klanit Kavac në luftën e përgjakshme me klanin rival Shkaljari.

Sipas gazetarit investigativ Stevan Dojëinovië nga KRIK, lufta mes dy klaneve mafioze nga Mali i Zi ka shkaktuar mbi 100 vrasje në Ballkan dhe është përhapur në Serbi, Bosnje, Kroaci dhe vende të tjera të rajonit.

Një nga viktimat e para të dokumentuara në aktakuzë ishte Luka Maric, emër i ndryshuar për arsye sigurie, një lider huliganësh rival dhe bashkëpunëtor i figurës kriminale Filip Koraë, i lidhur me klanin Shkaljari. Sipas prokurorisë, ai u josh nga një mik i tradhtuar, u rrëmbye, u dërgua në shtëpinë e Ritopekut dhe më pas u torturua e ekzekutua me sëpatë. Fotografi të trupit të tij të masakruar u dërguan si kërcënim rivalëve kriminalë.

Hetimet përfshijnë edhe vrasjen e Zdravko Radojevië dhe Milan Ljepoja, ky i fundit ish-anëtar i grupit famëkeq të grabitësve “Pink Panthers”. Sipas hetuesve, edhe ai përfundoi në të njëjtën dhomë torture pasi ishte joshur me premtimin për blerjen e një automjeti të blinduar.

Zbardhja e këtij rrjeti kriminal u bë e mundur falë depërtimit të autoriteteve evropiane në platformën e koduar të komunikimit Sky ECC. Kjo platformë, e përdorur gjerësisht nga grupet kriminale në Evropë, ofronte telefona të modifikuar me funksione sigurie ekstreme dhe komunikim të fshehtë brenda aplikacioneve të maskuara.

Autoritetet franceze, belge dhe holandeze arritën të depërtonin në serverët e Sky ECC dhe të deshifronin komunikimet e përdoruesve. Më shumë se një miliard mesazhe u interceptuan në kohë reale, duke zbuluar biseda, urdhra për vrasje, fotografi të torturave, transferta bitcoin për pagesa atentatesh dhe komunikime mes anëtarëve të grupit të Belivukut.

Në një nga mesazhet e publikuara në aktakuzë, Belivuk – me nofkën “Soprano” – shkruante: “Nuk pres dot ta mbys”. Në komunikime të tjera, anëtarët e grupit përshkruanin torturat ndaj viktimave dhe shpërndanin fotografi të trupave të masakruar.

Pas marrjes së informacionit nga autoritetet franceze, policia serbe arrestoi Belivukun dhe një pjesë të grupit të tij. Ata akuzohen për organizatë kriminale, vrasje të rënda, trafik droge dhe armësh, rrëmbime dhe përdhunime.

Megjithatë, çështja mori dimension edhe më të madh politik pas publikimit të pretendimeve për lidhje të ngushta mes grupit kriminal dhe strukturave shtetërore serbe.

Sipas raportimeve të KRIK, në telefonin e Belivukut u gjetën komunikime me zyrtarë të lartë të xhandarmërisë serbe dhe policisë. Gazetarët investigativë pretendojnë se një oficer i lartë policie komunikonte çdo ditë me Belivukun dhe raportonte tek figura të rëndësishme në hierarkinë shtetërore.

Në komunikimet e zbuluara përmenden emra si Dijana Hrkalovië, ish-sekretare shtetërore në Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Sipas KRIK, në biseda përmenden edhe “shefi” dhe “shefi i madh”, për të cilët gazetarët dyshojnë se i referoheshin ministrit të atëhershëm të Policisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Vetë Belivuk, gjatë dëshmisë së tij, pretendoi se grupi i tij ishte organizuar për nevojat e pushtetit dhe përdorej për të kontrolluar tribunat e tifozëve, për të frikësuar protestuesit antiqeveritarë dhe për të siguruar mbështetje në tubimet pro-qeveritare.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me Belivukun dhe grupin e tij, duke deklaruar se nuk e kishte takuar kurrë personalisht.

Megjithatë, kritikët e qeverisë serbe pretendojnë se arrestimi i grupit ndodhi vetëm pasi autoritetet ndërkombëtare depërtuan në komunikimet e Sky ECC dhe ekspozuan brutalitetin ekstrem të organizatës kriminale.

Sipas Stevan Dojëinovië, problemi nuk përfundon me arrestimin e Belivukut.

“Modeli mbetet i njëjtë. Derisa ky sistem politik dhe kjo mënyrë bashkëpunimi mes shtetit dhe strukturave kriminale të ekzistojë, asgjë nuk do të ndryshojë”, deklaroi ai.

Investigimi ngre pyetje serioze për ndërthurjen e krimit të organizuar me strukturat shtetërore në Serbi, ndërsa rasti i “shtëpisë së tmerrit” në Ritopek vazhdon të konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha kriminale në Evropën Juglindore./The GeoPost.