Kurti shpalos detaje: Xhandarmëria do të formohet me ligje të veçanta nga Kuvendi i Kosovës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpalosur detaje të planit për formimin e xhandarmërisë, duke thënë se do të ndjekin praktikat evropiane, por edhe sipas nevojave që ka vendi, transmeton Zeri.info.
“Ne jemi duke ndjekur praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet në përputhje me sistemin tonë kushtetues, specifikat dhe rrethanat e Republikës së Kosovës. Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e të gjitha aspekteve të formimit të xhandarmërisë”.
“Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me miratimin e ligjit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 7 qershorit”, tha Kurti në konferencë për media. /Zëri
Kurti: Xhandarmëria do të plotësojë boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë sot se themelimi i xhandarmerisë është domosdoshmëri e kohës, derisa ka përmendur sfidat e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme nga Serbia.
Kurti tha se xhandarmëria do të plotësojë boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë, përkatësisht FSK-së, transmeton Zeri.info.
“Xhandarmeria do të ketë mandat të qartë, sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë Republikën e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, duke përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai përmendi se modeli i xhandarmërisë është praktikë e shteteve evropiane. /Zëri