Begaj reagon pas vrasjes së policit në Maliq: Lufta kundër krimit nuk do të ndalet
Një zyrtar policor është vrarë mëngjesin e së enjtes gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur në Maliq të Shqipërisë, shkruan Zeri.info.
Presidenti Bajram Begaj i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.
“Bashkohem thellësisht më dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.
I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!
I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!”, shkroi Begaj.
Ai u zotua se pavarësisht kësaj ngjarjeje Policia e Shtetit nuk do të zmbrapset për ta luftuar krimin.
“Policia e Shtetit nuk do të zmbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.
Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, theksoi ai ndër të tjera. /Zëri