Haxhiu takon kryeministrin çek në margjinat e Samitit BE – Ballkan Perëndimor në Tivat

Haxhiu takon kryeministrin çek në margjinat e Samitit BE – Ballkan Perëndimor në Tivat

Aktuale June 05, 2026 - 11:45

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis, në margjinat e Samitit BE - Ballkan Perëndimor, që po mbahet në Tivat.

Gjatë takimit, Haxhiu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës në proceset e shtetndërtimit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe Kosovë - Çeki, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe rruga evropiane e Kosovës dhe rëndësia e një procesi të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian. U.d. presidentja ka kërkuar mbështetjen e Çekisë për hapat e ardhshëm të Kosovës, duke përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.

Po ashtu, Haxhiu ka theksuar potencialin për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushat e energjisë, teknologjive të gjelbra, inovacionit, digjitalizimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe industrisë së avancuar.

Ajo ka vlerësuar edhe kontributin e Çekisë në misionin e KFOR-it, duke e cilësuar si të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Në fund, Haxhiu ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. /Zëri