Investim i ri në infrastrukturë: Nis faza e dytë e rrugës Gorancë - Krivenik
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar zotimin e mjeteve për realizimin e projektit “Ndërtimi i rrugës Gorancë–Krivenik, Faza II”, në Komunën e Hani i Elezit.
Sipas njoftimit, projekti përfshin ndërtimin e 2.5 kilometrave rrugë, me vlerë totale prej 694 mijë euro, të financuara plotësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Për vitin aktual janë ndarë 215.238 euro për realizimin e punimeve.
Ky investim vjen pas përfundimit të Fazës I të të njëjtit projekt, që përfshiu ndërtimin e 1.8 kilometrave rrugë me një investim prej 400 mijë eurosh.
Sipas ministrisë, qëllimi i këtyre investimeve është përmirësimi i infrastrukturës rrugore, lehtësimi i qarkullimit dhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve në këtë zonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për investime infrastrukturore në të gjitha rajonet e vendit. /Zëri