Dosja përfundimtare, si i lidh Prokuroria Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin me krimet e pretenduara?
Foto: Laura Hasani

Dosja përfundimtare, si i lidh Prokuroria Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin me krimet e pretenduara?

Aktuale June 10, 2026 - 11:44

Dhomat e Specializuara të Kosovës(DHSK) në Hagë kanë bërë publike dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë dosje, Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit formuluan, zbatuan dhe përforcuan qëllimin e tyre të përbashkët kriminal dhe veprimet e fjalët e tyre tregojnë qëllimin e tyre për të marrë pjesë në kryerjen e krimeve.

Përveç kësaj, thuhet se katër të akuzuarit nuk ndërmorën asnjë masë parandaluese apo ndëshkuese ndaj anëtarëve të tjerë që pretendohet se kanë qenë pjesë e të ashtuquajturës Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Përkundrazi, thuhet se këta anëtarë u promovuan dhe iu dhanë përgjegjësi shtesë.

Çfarë thotë Prokuroria për Hashim Thaçin dhe përgjegjësinë e tij?

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi i njohur me nofkën “Gjarpri”, ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm së bashku me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ai gjithashtu personifikohet edhe si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

Prokuroria pretendon se Thaçi mbante përgjegjësi në Drejtorinë Politike dhe të Informimit në Shtabin e Përgjithshme, ku luante rol në operacionet e UÇK-së dhe në trajtimin e personave që perceptoheshin si kundërshtarë. Përveç kësaj, thuhet se Thaçi më vonë u bë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Thaçi i paraqiste personat e perceptuar si kundërshtarë, kërcënim për ta dhe i paralajmëronte se do të përballeshin me masa ndëshkuese.

Në mesin e shumë arsyeve për vizita nëpër komanda, thuhet se Thaçi shkoi edhe për të harmonizuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve dhe për të siguruar zbatimin në terren të planit të përbashkët kriminal.

Ndërsa për funksionin e tij në Qeverinë e Përkohshme, Prokuroria pretendon se ai integroi funksione politike, të inteligjencës dhe policisë nën autoritetin e tij përmes të cilave vazhdoi realizimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

“Gjatë gjithë periudhës së Aktakuzës, veprimet e Hashim Thaçit treguan një synim të vazhdueshëm për të realizuar qëllime politike duke urdhëruar, inkurajuar dhe marrë pjesë në mjete qartësisht kriminale për t’i arritur ato”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, e cila shton se Thaçi urdhëroi anëtarët e UÇK-së që të ndihmonin në kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve.

Përveç kësaj, dosja e Prokurorisë thotë se Thaçi urdhëroi anëtarët e UÇK-së që ta ndihmonin në kryerjen e krimeve të drejtpërdrejta.

“Thaçi urdhëroi anëtarët e UÇK-së që ta ndihmonin në kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve”, thuhet në dosje, duke pretenduar se Thaçi të gjitha këto i ka bërë me ndihmën e vartësve të tij.

Për veprime konkrete, Prokuroria e implikon Thaçin në largimin e dy të ndaluarve nga një lokacion të cilët nuk u panë më gjallë.

Sipas Prokurorisë, Thaçi ka bërë udhëheqjen e një grupi të UÇK-së që kapi 13 civilë për shkak të bindjeve të tyre politike dhe marrjen e tyre në pyetje personalisht, pasi vartësit e tij në UÇK i kishin rrahur dhe kërcënuar me vdekje.

Po ashtu, përmendet se Thaçi u përfshi në marrjen në pyetje të dy gazetarëve serbë të ndaluar dhe të keqtrajtuar në një lokacion të tretë.

Prokuroria pretendon se Thaçi i inkurajoi anëtarët e UÇK-së të “luftonin” kundër kujtdo që nuk e njihte Shtabin e Përgjithshëm ose nuk respektonte urdhrat e vet Thaçit, dhe se vartësit e tij në UÇK e morën, e kuptuan dhe e zbatuan mesazhin e tij.

Sipas Prokurorisë, Thaçi personalisht i kërcënoi kundërshtarët duke përfshirë edhe kërcënime me vdekje.

“Thaçi përdori komunikimet e Shtabit të Përgjithshëm për të veçuar objektiva që do të përballeshin me pasoja sipas kornizës së politikës dhe ishte autor drejtpërdrejt i të paktën një komunikate me synimin për të shkatërruar plotësisht një kundërshtar të caktuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Për çfarë ishte në dijeni Thaçi dhe çka bëri ai, sipas Prokurorisë?

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se Thaçi e dinte se anëtarët e UÇK-së po kryenin krime kundër kundërshtarëve.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se veprimtaria kriminale urdhërohej ose miratohej drejtpërdrejt nga Thaçi ose përmes Shtabit të Përgjithshëm.

Rrjedhimisht, thuhet se Thaçi kishte autoritetin për të parandaluar krime të tilla, siç dëshmohet, ndër të tjera, nga autoriteti i tij për të liruar të ndaluarit. Por, pavarësisht kësaj, Prokuroria thotë se Thaçi nuk bëri asnjë përpjekje për parandalim, hetim ose ndëshkim të personave që kryen këto krime. Thuhet se Shtabi i Përgjithshëm promovoi udhëheqës të UÇK-së të përfshirë ne krime ose edhe iu caktoi atyre detyra për stërvitje dhe mobilizimin e rekrutëve të rinj.

Ndërsa në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Prokuroria thotë se Thaçi përdori pushtetin e tij si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit e tij dhe anëtarët tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale në pozita të larta.

Ndërsa komunikatat, Prokuroria thotë se u përdorën nga Thaçi për të promovuar qëllimin e përbashkët tek anëtarët e tjerë të UÇK-së.

“Për shembull, në qershor 1998, anëtari i njohur i LDK-së, Abdyl Rama, u rrëmbye nga ushtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua te THAÇI, ku iu bë presion që të jepte një deklaratë të regjistruar për largimin nga LDK-ja dhe bashkimin me UÇK-në. Refuzimi i tij për ta bërë një deklaratë të tillë çoi në keqtrajtim nga Thaçi, përfshirë kërcënime kundër tij për mospranimin e kërkesave të Thaçit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se Thaçi bëri personalisht deklarata publike të projektuara për të nxitur frikë, mosbesim dhe urrejtje ndaj kundërshtarëve. Kurse, thuhet se disa media publikuan një komunikatë të hartuar nga Thaçi që përmbante të pavërteta të rrezikshme të dizajnuara për të “eliminuar” një kundërshtar.

“Thaçi gjithashtu mbajti të fshehura informacione që kishte në dispozicion lidhur me viktimat, në përpjekje për të penguar përpjekjet hetimore të familjeve të tyre. [REDAKTUAR]. Kur përballej me pyetje lidhur me rrëmbimet dhe ndalimet nga anëtarët e UÇK-së, Thaçi në mënyrë refleksive e përshkruante UÇK-në si një ushtri të rregullt të përkushtuar ndaj ligjit të luftës. Në një takim me përfaqësues të Human Rights Watch dhe së bashku me anëtarin e emërtuar të NPK-së, Fatmir Limaj, Thaçi gjithashtu pretendoi në mënyrë të rreme se dy gazetarët serbë të ndaluar në Shalë kishin marrë një gjykim”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se Thaçi përdori autoritetin e tij brenda procesit të promovimit të Shtabit të Përgjithshëm për të shpërblyer zbatuesit kryesorë të qëllimit të përbashkët dhe për të maksimizuar kontributet e tyre kriminale.

Prokuroria thotë se pas rolit të tij udhëheqës në vrasjen e 12 të ndaluarve në Malishevë, Haxhi Shala u ngarkua me komandën e Brigadës 121. Fatmir Limaj, i cili në atë kohë ishte eprori i Shalës, dhe Musë Jashari i cili sipas Prokurorisë, kishte përfshirje të drejtpërdrejtë në disa krime, u ngritën në pozita në Shtabin e Përgjithshëm pasi kishin mbikëqyrur një sërë ndalimesh, vrasjesh dhe abuzimesh.

Në dosjen e saj, Prokuroria thotë se në Qeverinë e Përkohshme, Thaçi njohu besnikërinë e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që kishin kontribuar në qëllimin e përbashkët kriminal. Për rrjedhojë, thuhet se Jakup Krasniqin e emëroi zëdhënës, Kadri Veselin si drejtues të Shërbimit Informativ (SHIK), si dhe Rexhep Selimin si ministër të Rendit Publik.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se edhe Sylejman Selimi i cili bën pjesë në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale u emërua nga Thaçi për të udhëhequr Gardën Kombëtare.

Përveç kësaj, Prokuroria përmend edhe një deklaratë të Musë Jasharit i cili pretendohet se ka marrë pjesë në disa krime, për Thaçin.

“Musë Jashari, i cili kishte si njohuri për krimet ashtu edhe kishte marrë pjesë në to, vuri në dukje në mënyrë specifike se “ne mund të flisnim lirshëm me [THAÇI-n]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, thuhet se Thaçi vizitoi dhe mbajti lidhje me Lahi Brahimajn i cili ishte komandant në Jabllanicë, vend ky i cili kishte qendër ndalimi dhe po keqtrajtoheshin haptazi të ndaluarit.

“Për të siguruar, ndër të tjera, avancimin e qëllimit të përbashkët, THAÇI vizitoi lokacione ku po kryheshin krime nga anëtarët e UÇK-së. Ai u takua me zyrtarë të lartë të UÇK-së në Likoc dhe në Zonën më të gjerë të Drenicës, Jabllanicë, Drenoc, Malishevë, Budakovë, Kleçkë, Bajgorë, Zonat e Shalës dhe Llapit, si dhe në Kukës në Shqipëri, duke demonstruar kontrollin e tij të drejtpërdrejtë mbi ata që do të zbatonin politikën në terren”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Çfarë thotë Prokuroria për Kadri Veselin, në duart e të cilit pretendohet se ishte inteligjenca?

Përveç si themelues i UÇK-së, Shtabit të Përgjithshëm dhe pjesëmarrës në sulmet e hershme të UÇK-së, Kadri Veseli identifikohet nga ZPS edhe si drejtues i Drejtorisë së Inteligjencës e njohur edhe si G2 e po ashtu edhe si ZKZ.

Për Veselin, Prokuroria thotë se nofka e tij ishte “Luli” ose “7”, i cili drejtonte një aparat përgjegjës për identifikimin e bashkëpunëtorëve të dyshuar, në mbledhjen dhe analizimin e informacioneve për ata. Thuhet se ai në Drejtorinë Politike kishte edhe përgjegjësi diplomatike si dhe shërbente si ndërlidhës kryesor në negociata dhe në kontakte me ndërkombëtarët.

“Veprime të tilla demonstronin se vendimet e Shtabit të Përgjithshëm—pasi merreshin—ishin detyruese në të gjitha zonat dhe se VESELI mund të fliste dhe të vepronte në emër të Shtabit të Përgjithshëm”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se roli diplomatik i Veselit dhe koha e kaluar jashtë shtetit nuk e shkëpuste atë nga e ashtuquajtura Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, të cilës iu bashkua me vullnetin e tij.

“Roli i Veselit si drejtues i Inteligjencës përfshinte përcjelljen e informacionit nga Zonat lidhur me ndalimin e bashkëpunëtorëve të dyshuar te persona të tjerë në nivel kombëtar të UÇK-së. Siç vuri në dukje W04752: “Detyra e tij ishte të pranonte raporte të tilla [nga komandantët e zonave], pastaj të informonte sektorin juridik”. Veseli u jepte informacion inteligjence drejtpërdrejt anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, duke dëshmuar më tej funksionimin kolektiv të tij”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Duke thënë se kishte hierarki në UÇK, Prokuroria pretendon se oficerët e inteligjencës ishin përfshirë në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas Prokurorisë, njëri prej tyre ishte edhe Sabit Geci, i cili thuhet se keqtrajtoi të ndaluar në disa vende që tashmë janë të përfshira në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, Geci vazhdoi funksionimin në UÇK dhe kreu krime edhe pse u bë gjerësisht i njohur se ai po keqtrajtonte personat e perceptuar si kundërshtarë.

Prokuroria thotë se në mënyrë të ngjashme ishte edhe Latif Gashi, oficer i inteligjencës në Zonën Operative të Llapit i cili luajti rol qendror në kryerjen e krimeve.

Ndërsa, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, sipas Prokurorisë, Veseli u bë shef i Shërbimit Informativ (SHIK) dhe i raportonte kryeministrit.

“Si shef i SHIK-ut, ai drejtoi të njëjtin operacion me autoritet më të madh forma dhe mandatet e përgjithshme të G-2 dhe SHIK-ut ishin të ngjashme. Synimi i deklaruar i Veselit ishte të zbulonte “manipulimin” serb dhe të siguronte informacione mbi pozicionet e armikut. Marrja në pyetje e bashkëpunëtorëve të dyshuar ishte thelbësore për arritjen e këtij objektivi – një objektiv që u zbatua gjatë gjithë luftës, përfshirë me përfshirjen e Veselit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në cilat krime pretendohet se u përfshi personalisht Veseli?

Sipas Prokurorisë, Kadri Veseli emëroi Xhemë Gashin si drejtues të një njësie në Drenoc e cila sipas fjalëve të mbrojtjes së Selimit, drejtonte një operacion torturë.

Prokuroria pretendon se Veseli ishte personalisht i përfshirë në largimin e dy të ndaluarve nga Drenoci të cilët nuk u panë më kurrë.

Përveç kësaj, thuhet se Veseli personalisht transferoi një të ndaluar i cili ishte keqtrajtuar në Kleçkë. Thuhet se ai ishte i pranishëm shpesh në qendrën e ndalimit aty dhe kishte autoritetin që të urdhëronte lirimin e të ndaluarve që po mbaheshin atje.

“Vetë Veseli deklaroi nën betim se ishte emëruar si drejtues i SHIK-ut në fund të marsit 1999 dhe para kësaj ishte drejtues i G-2, se një nga segmentet e veprimtarisë së tij kishte të bënte me bashkëpunëtorët serbë, se e njihte shumë mirë W04743 dhe se W04743 ishte anëtar i SHIK-ut dhe “një nga djemtë më të mirë që dolën nga lufta”. W04743 ishte një anëtar i lartë i policisë ushtarake dhe inteligjencës së UÇK-së i përfshirë në ndalimin dhe keqtrajtimin e Kundërshtarëve në Kleçkë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria pretendon se kjo sjellje e Veselit s’ishte rastësore dhe se këta shembuj të pjesëmarrjes së tij në krime janë të rëndësishme për arsye se zbulojnë vetëdijen dhe pranimin me vullnet të lirë të ishte pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.

Rrjedhimisht, Prokuroria pretendon se Veseli dështoi që të parandalonte, hetonte ose të ndëshkonte ndonjë prej krimeve të kryera pavarësisht rolit që ka pasur në Shtabin e Përgjithshëm.

Përveç kësaj, thuhet se Veseli nuk ndëshkoi as oficerët e zonave ku po kryheshin krime, si Latif Gashin, Sabit Gcin dhe Xhavit Elshanin.

Tutje, Prokuroria thotë se Veseli nuk veproi mbi informacionet që mori nga viktimat për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre që ishin zhdukur në Drenoc. /BetimipërDrejtësi

Shkrimin e plotë mund ta lexoni: KETU