Gjykata Supreme lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e një të miture në fushatë zgjedhore
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shqiptimin e gjobës prej 5.100 eurosh ndaj këtij subjekti politik.
Vendimi i PZAP-it ishte marrë pas ankesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi” (IKD), të cilat kishin pretenduar shkelje të rregullave zgjedhore gjatë një aktiviteti fushate.
Sipas dosjes së lëndës, më 31 maj 2026, gjatë një tubimi zgjedhor të LVV-së në Vushtrri, një vajzë 10-vjeçare kishte marrë pjesë në skenë duke recituar para të pranishmëve, e veshur me materiale që përmbanin simbole të subjektit politik.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte konstatuar se kjo përbënte shkelje të rregullave zgjedhore, të cilat ndalojnë përfshirjen e personave nën moshën 15 vjeç në fushata politike.
LVV-ja kishte argumentuar se e mitura nuk ishte pjesë e organizimit të tubimit dhe se paraqitja e saj kishte qenë spontane, me miratimin e prindit. Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se përgjegjësia bie mbi organizatorin e aktivitetit, i cili duhet të sigurojë respektimin e rregullave gjatë gjithë zhvillimit të fushatës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se fakti vendimtar është lejimi i pjesëmarrjes aktive të një fëmije në aktivitet zgjedhor, pavarësisht mënyrës se si është iniciuar ajo pjesëmarrje.
Duke marrë parasysh mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës dhe ndalimet e qarta ligjore për përfshirjen e të miturve në fushata, Gjykata Supreme konfirmoi vendimin e PZAP-së dhe la në fuqi gjobën ndaj LVV-së. /Zëri