Hyn në fuqi udhëzimi i ri administrativ për Certifikatën e Kompetencës Profesionale
Nga sot ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ që rregullon procesin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP), duke zhbllokuar procedurat e certifikimit për shoferët fillestarë dhe operatorët e transportit ndërkombëtar të mallrave.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i cili tha se me këtë vendim i jepet fund vonesave në procesin e pajisjes me certifikata dhe mundësohet rifillimi i rregullt i aplikimeve.
Sipas tij, pas një periudhe pune intensive institucionale, tashmë është bërë i mundur funksionalizimi i plotë i procesit të certifikimit, duke hapur rrugën që aplikuesit të pajisen sa më shpejt me dokumentacionin përkatës.
Basha ka kërkuar nga strukturat e Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës që të angazhohen maksimalisht në trajtimin efikas të aplikimeve, në mënyrë që procesi të ecë pa vonesa dhe me prioritet për të gjithë kandidatët.
Ai u ka bërë thirrje gjithashtu shoferëve dhe operatorëve të transportit që kanë pritur këtë zhvillim, duke i falënderuar për durimin dhe besimin e treguar gjatë periudhës së bllokimit të procesit. /Zëri