AGK-ja shprehet e alarmuar nga paralajmërimi i KPM-së për mbylljen e “Debat Plusit”

AGK-ja shprehet e alarmuar nga paralajmërimi i KPM-së për mbylljen e “Debat Plusit”

Aktuale June 10, 2026 - 22:11

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur thellësisht i shqetësuar nga diskutimi i sotëm në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku nga nënkryetarja, Drita Morina është propozuar që në mbledhjen e radhës të diskutohet mbyllja e emisionit Debat Plus në TV Dukagjini.

AGK-ja e vlerëson këtë deklaratë si të papranueshme, të papërgjegjshme dhe si sulm frontal ndaj lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.

“Diskutimi i sotëm është vazhdimësi e vendimeve të pabaza ndëshkuese kundër mediave në ditët e fundit.”, thuhet në reagim.

AGK-ja rithekson se nuk është në kompetencën e KPM-së të dënojë mediat dhe gazetarët për shkak të debatit dhe deklaratave të të ftuarve.

“Vendimet e paprecedentë me gjoba nga përbërja e re e KPM-së vërtetojnë alarmin e ngritur nga AGK-ja dhe shoqëria civile se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë, të cilat synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, liria e medias dhe e shprehjes është e drejtë e garantuar në Kosovë, ndërsa pluralizmi mediatik është vlerë që asnjë vendim i KPM-së nuk mund ta zhbëjë.

AGK-ja i bën thirrje KPM-së që të heqë dorë menjëherë nga praktika e ndëshkimit të mediave dhe ta kryejë punën e saj brenda kompetencave që ka.