Planet për ndërtimet në Zvërnec, protesta në Tiranë hyn në ditën e 11-të
Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e njëmbëdhjetë të saj. Protestuesit kanë marshuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin shqiptar duke u vendosur para godinës së Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit.
Gjithashtu, protestuesit kanë shprehur edhe një herë kërkesën e tyre për dorëhqjen e kryeministrit Edi Rama, e cila është midis kërkesave të tjera të parashtruara prej tyre.
Protestuesit paraqesin pesë kërkesa, të cilat i konsiderojnë si të panegociueshme:
Dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama
Krijimi i një Qeverie Teknike
Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura
Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike
Anulimi i “Paketës së Maleve”
Protestuesit nisën marshimin e tyre fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u drejtuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Protesta e qytetarëve u nxit nga ngjarjet që ndodhën pas protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec, ku u dhunua një protestues nga rojet e sigurisë, duke u masivizuar më pas edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa përgjatë ditëve të fundit ka pasur protesta të shqiptarëve edhe në qytete të tjera të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.