Edi Rama ironizon: Protestues nga Kosova e Maqedonia po vijnë për ta shpëtuar Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ekziston një përzierje e hatashme ndërkombëtare në protestat kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se qeveria nuk mund të drejtohet nga zhurma apo presioni i rrjeteve sociale.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të shtunën, Rama ka thënë se ekziston një “përzierje e hatashme ndërkombëtare”, ku sipas tij ka njerëz që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia për ta “shpëtuar” Shqipërinë në emër të shqiptarëve.
““Ka një përzierje të hatashme ndërkombëtare, vijnë njerëz nga Kosova, Maqedonia për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve, ndërkohë njerëzit që flasin me arsye e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Rama.
Megjithatë, ai theksoi se qeveria duhet të dëgjojë kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por pa lejuar që vendimmarrja të diktohet nga zhurma publike.
Sipas tij, një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët ndaj kritikës dhe zemërimit të qytetarëve, por as nuk duhet të heqë dorë nga drejtimi i saj përballë presioneve të momentit.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i nënshtrohet zhurmës dhe sa më shumë zhurmë, aq më shumë forcohet identiteti i tij dhe destinacioni”, deklaroi ai.
Rama shtoi se ndërtimi i shtetit nuk mund të varet nga “era që fryn” apo nga valët e opinionit në rrjetet sociale, duke nënvizuar se qeverisja duhet të ruajë kursin e saj edhe në kohë debatesh të forta publike.
Ai tha gjithashtu se nuk beson që vendimet politike duhet të udhëhiqen nga algoritmet apo reagimet e momentit në internet.
“Kurrë nuk besoj se mund të drejtohem prej zhurmës dhe dallgëve që mund të ngrihen aty”, u shpreh kryeministri.
Dje ishte dita e 20-të e protestave kundër projektit në Zvërnec, ku po bëhet thirrje për dorëheqjen e Ramës. /euronews