Zulfaj: Mbështetja e Gjermanisë është kyçe për integrimin evropian të Kosovës

Zulfaj: Mbështetja e Gjermanisë është kyçe për integrimin evropian të Kosovës

Aktuale July 02, 2026 - 18:30

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë takimit, Zulfaj theksoi rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi se për Kosovën anëtarësimi në BE nuk është vetëm një akt formal, por një proces transformues që forcon demokracinë, nxit zhvillimin ekonomik dhe rrit mirëqenien e qytetarëve.

“Kosova është e interesuar dhe e investuar plotësisht në këtë proces, ndërsa mbështetja e Gjermanisë është e rëndësishme për ta çuar atë përpara”, deklaroi Zulfaj.

Kryenegociatori falënderoi ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve bazohen në vlera të përbashkëta dhe forcohen edhe nga kontributi i mërgatës kosovare në Gjermani.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në integrimin ekonomik të rajonit përmes Procesit të Berlinit.

Në takim u diskutua edhe ecuria e reformave që Kosova po zbaton në kuadër të Planit të Rritjes.