Raporti i OSBE-së: Vonesat, problemet me provat dhe aktakuzat mbeten sfida në gjykimet për krime lufte

Raporti i OSBE-së: Vonesat, problemet me provat dhe aktakuzat mbeten sfida në gjykimet për krime lufte

Aktuale July 08, 2026 - 11:30

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin shtatëvjeçar të monitorimit të gjykimeve për krime lufte, duke evidentuar se sistemi i drejtësisë ka shënuar përparim në trajtimin e këtyre rasteve, por vazhdon të përballet me sfida serioze procedurale.

Gjetjet kryesore nxjerrin në pah vonesat e shpeshta në procedura, problemet me cilësinë dhe individualizimin e disa aktakuzave, vështirësitë në administrimin dhe përkthimin e provave, mungesën e dëshmitarëve, si dhe sfidat që lidhen me zhvillimin e gjykimeve në mungesë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, tha se dokumenti paraqet analizën më gjithëpërfshirëse të gjykimeve për krime lufte që nga themelimi i Departamentit Special dhe synon të ndihmojë institucionet në përmirësimin e praktikave gjyqësore.

“Ky raport reflekton shtatë vite të monitorimit sistematik të gjykimeve të luftës në Kosovë, paraqet gjetje nga 48 raste të krimeve të luftës të gjykuara para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Raste që kanë përfshirë 138 persona të akuzuar, dhe gjithashtu 394 seanca. Është me rëndësi që kjo temë, kjo është analiza më gjithëpërfshirëse e rasteve të krimeve të luftës që nga themelimi i Departamentit Special dhe do të gjeni këtë vlerësim të praktikave të gjykimit. Periudha që mbulon raporti është gjithashtu me rëndësi, mbulon tranzicionin e kësaj forme më kërkuese të gjykimit nga mekanizmat ndërkombëtarë hibridë në institucionet vendore. Transferimi i rasteve nga EULEX-i si dhe paraqitja e procedurave në mungesë ishin disa nga risitë. 17 raste kanë arritur formën e prerë. Gjithashtu, konsolidimi i rolit është për gjykim të luftës është në vete një rritje. Rekomandimet përfundimtare kanë për qëllim të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme për të fortësuar administrimin e drejtësisë në pajtim me standardet ndërkombëtare. Raporti gjithashtu reflekton rëndësinë e gjykimit të drejtë, të pavarur, dhe një procesi që i mbron të drejtat e palëve në procedurë, por edhe ndjeshmërinë e rasteve. Gjithashtu, mënyra se si bëhen procedurat është shumë e rëndësishme. Respekti për garancat, të drejtat e të akuzuarit, të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, dhe pavarësia e gjyqësorit janë shumë të rëndësishme për besueshmërinë e çdo procesi të drejtësisë. Kjo është e rëndësishme duke pasur parasysh që pothuajse 98% e këtyre të akuzuarve mbahen në paraburgim, rrethanë e cila sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut paraqet një obligim shumë të madh për të qenë shumë të vëmendshëm në të gjitha procedurat. Raporti gjithashtu vëren që gjatë periudhës raportuese, numri i procedurave të krimeve të luftës është rritur dhe që këto raste kanë paraqitur sfida praktike për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët mbrojtës. Sfidat e identifikuara përfshijnë vonesat, brenga në lidhje me cilësinë dhe individualizimin e disa aktakuzave, sfidat e provave, problemet e zbulimit të provave dhe të përkthimit, dhe procedurat që janë mbajtur në mungesë. Monitorimi i të dhënave ka treguar që një në pesë seanca janë shtyrë nga mosparaqitja e dëshmitarëve. Gati çerek i rasteve që kanë arritur në gjykim janë prekur nga ndryshimi në panelin gjykues, dhe procedurat nganjëherë është dashur të fillojnë nga e para. Zbulimi i vonuar apo vonesat në përkthim i kanë shtyrë gjysmën e këtyre rasteve. Këto çështje nuk janë vetëm teknike, por shkojnë në zemër të procesit të rregullt, dhe kanë ndikim në besim”, tha ai.

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se monitorimi i OSBE-së përbën një mekanizëm të rëndësishëm për transparencën dhe llogaridhënien, ndërsa theksoi masat që, sipas tij, institucionet kanë ndërmarrë për forcimin e drejtësisë tranzicionale dhe trajtimin e krimeve të luftës.

“Monitorimi i pavarur i proceseve gjyqësore, dhe veçanërisht në rastet e krimeve të luftës, përbën një komponent thelbësor të transparencës institucionale dhe të garantimit të standardeve të drejtësisë. Në këtë kontekst, angazhimi shumëvjeçar i misionit të OSBE-së në Kosovë në monitorimin e procedurave gjyqësore ka krijuar një bazë të rëndësishme për reflektim institucional. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Drejtësisë, me të marrë mandatin që nga viti 2021, ne kemi caktuar prioritetet tona. Në kuadër të këtyre prioriteteve ka qenë gjithashtu adresimi i krimeve të luftës dhe i drejtësisë tranzicionale. Pra, drejtësinë tranzicionale e kemi vendosur ndër prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë, me synimin për të siguruar një qasje sa më gjithëpërfshirëse ndaj: Ballafaqimit me të kaluarën, llogaridhënies, dokumentimit të krimeve dhe realizimit të të drejtave të viktimave. Në këtë drejtim, brenda kompetencave tona, krah sfidave të shumta, ne tashmë kemi arritur të shënojmë rezultate konkrete, të cilat natyrisht që ndërlidhen me fushën e krimeve të luftës. Kisha përmendur disa prej këtyre rezultateve ose arritjeve: Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë: Si institucion i specializuar për mbledhjen, ruajtjen, hulumtimin dhe dokumentimin e dëshmive mbi krimet e luftës. Hartimi dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale: Si një ndër veprimet kryesore institucionale. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale: Mundësimi i gjykimeve në mungesë për krimet e luftës, duke krijuar kështu bazën ligjore për avancimin e llogaridhënies në rastet kur të dyshuarit nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë. Forcimi i kapaciteteve të Prokurorisë Speciale: Për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës përmes mbështetjes institucionale, shtimit të burimeve njerëzore dhe koordinimit ndërinstitucional, me qëllim rritjen e efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Avancimi i të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës: Përmes fuqizimit të mekanizmave për njohjen dhe realizimin e statusit të tyre, lehtësimit të qasjes në të drejtat ligjore dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mediatik me organizatat e viktimave dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Përfshirja e viktimave dhe qasja e bazuar në të drejtat e njeriut kanë qenë parime udhëheqëse në hartimin e politikave dhe të masave, duke synuar që zëri dhe nevojat e viktimave të jenë në qendër të proceseve të drejtësisë tranzicionale. Në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë tutje me prioritetet tona në këtë fushë, siç janë: Zbatimi efektiv i strategjisë; Forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës; Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë; Mbështetja e vazhdueshme për viktimat dhe garantimi i qasjes së tyre në drejtësi; Avancimi i dokumentimit, ruajtjes së kujtesës institucionale dhe edukimit për krimet e kryera gjatë luftës, ndër të tjera. Të nderuar të pranishëm, institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara në forcimin e sundimit të ligjit, në adresimin e çështjeve në kuadër të kësaj fushe, por gjithashtu edhe në zbatimin ose në avancimin e reformimit të tërësishëm të sistemit të drejtësisë. Bashkëpunimi me mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë misionin e OSBE-së në Kosovë, mbetet një shtyllë tjetër e rëndësishme e këtij procesi. Ky lloj monitorimi ndihmon në forcimin e përgjegjësisë institucionale dhe llogaridhënies, duke rritur jo vetëm cilësinë e praktikës gjyqësore, por gjithashtu edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, tha ai, raporton EO.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, vlerësoi se drejtësia për krimet e luftës mbetet detyrim institucional dhe moral, duke theksuar se mungesa e burimeve dhe humbja e provave ndër vite kanë vështirësuar ndjekjen e autorëve.

“Është e rëndësishme të ritheksohet se krimet e luftës përfaqësojnë ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ato janë të sanksionuara me konventa ndërkombëtare, por janë edhe detyrim që buron nga standardet ndërkombëtare që Republika e Kosovës i zbaton si pjesë e sistemit të saj juridik. Për qytetarët e Kosovës, këto lëndë kanë një dimension të veçantë njerëzor. Lufta e fundit la mijëra viktima, persona të zhdukur, familje të shkatërruara, dhunë seksuale gjatë luftës, dëbimin e popullsisë dhe pasoja që vazhdojnë të ndihen në vendin tonë. Për shumë familje, drejtësia për krimet e luftës nuk është vetëm një vendim gjyqësor; është një mundësi për të kthyer besimin te drejtësia dhe te dinjiteti njerëzor, sepse drejtësia duhet të gjejë vendin e saj. Ajo përfaqëson gjithashtu një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore për të dokumentuar të kaluarën, për të vendosur përgjegjësinë ndaj kryerësve të krimeve dhe për të siguruar që viktimat dhe familjet e tyre të gjejnë paqe. Nëse e shtrojmë pyetjen se ku qëndron problemi dhe a kemi bërë mjaftueshëm për t’i sjellë kryerësit para drejtësisë, në këtë rast mund të themi se nuk është bërë ajo që ka qenë e dëshirueshme. Kemi me mijëra dëshmitarë që kanë ndërruar jetë pa u marrë dëshmia e tyre; kemi mijëra të tjerë që kanë pasur rastin të dëshmojnë, por dëshmitë e tyre nuk janë dokumentuar si duhet; kemi prova që kanë humbur ose janë dëmtuar me kalimin e kohës. Kemi gjithashtu individë që morën pjesë aktive në faktimin e krimeve të luftës, për të cilët ende nuk ka pasur një proces përfundimtar. Kjo ka krijuar një situatë të paralizuar, ku shteti realisht nuk e ka çuar deri në fund misionin e tij. Në këtë rast, nuk mund ta fajësojmë vetëm Prokurorinë Speciale, pasi që nga marrja e kompetencave për ndjekjen e veprave penale të krimeve të luftës, kapacitetet e tyre kanë qenë të kufizuara. Atyre u ka munguar përkrahja e duhur, veçanërisht resurset njerëzore. Me numrin e prokurorëve që janë të angazhuar në ndjekjen e krimeve të luftës dhe me stafin mbështetës, ka qenë e pamundur që të bëhet më shumë. Mendoj se drejtësia nuk vendoset nga fjalët dhe fjalimet e bukura që i bëjmë sa herë që kemi mundësi, por drejtësia jepet me akte dhe me bëma. Andaj, mendoj që është detyrim i të gjitha institucioneve që të kenë një angazhim maksimal, në mënyrë që ndjekja e veprave penale të krimeve të luftës të marrë vëmendjen e plotë. Pasi, pavarësisht se këto vepra penale nuk parashkruhen, çdo ditë e kaluar nënkupton që vendosja e drejtësisë në vend do të jetë më e vështirë dhe më e pamundur. Në këtë rast, mund të themi me plot gojën që raporti i OSBE-së që publikohet sot trajton punën e institucioneve të drejtësisë dhe ka në përmbajtjen e tij si sukseset, ashtu edhe të metat e sfidat që i përcjellin institucionet e drejtësisë – në këtë rast të gjitha, si prokuroritë, ashtu edhe gjykatat. Sistemi gjyqësor i Kosovës ka treguar një gatishmëri të vazhdueshme për të trajtuar rastet e krimeve të luftës në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare”, tha Rexhepi.

Ndërsa u.d. i kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se trajtimi i krimeve të luftës kërkon profesionalizëm, pavarësi dhe hetime të bazuara në prova, ndërsa raportin e OSBE-së e cilësoi si një mundësi për reflektim dhe përmirësim institucional.

“Trajtimi i rasteve të krimeve të luftës përbën një nga fushat më të ndjeshme dhe më sfiduese të drejtësisë penale. Për sistemin prokurorial, kjo kërkon jo vetëm përkushtimin institucional, por edhe profesionalizëm, pavarësi, paanshmëri dhe respektim të plotë të ligjit. Këto raste kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të përgjegjshme prokuroriale. Roli i prokurorisë është të hetojë dhe ndjekë penalisht dyshimet për vepra të rënda penale, por njëkohësisht të sigurojë që çdo rast i paraqitur para gjykatës të jetë i bazuar në prova, i përgatitur me saktësi dhe i paraqitur në përputhje me standardet e gjykimit të drejtë. Gjatë viteve të fundit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Puna në këtë fushë është intensifikuar, kapacitetet janë zhvilluar gradualisht dhe vëmendja institucionale ndaj kësaj kategorie të rasteve është rritur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh kompleksitetin e lëndëve, kohën e gjatë që ka kaluar nga ngjarjet e pretenduara, si dhe sfidat provuese që zakonisht shoqërojnë këto procedura. Si sistem prokurorial, ne e njohim rëndësinë që llogaridhënia të ndiqet përmes ngritjes së rasteve kredibile dhe profesionale. Cilësia e hetimeve, qartësia e aktakuzave, vlerësimi i kujdesshëm i provave dhe përmbushja në kohë e obligimeve procedurale janë thelbësore për të siguruar që ndjekja penale të jetë efektive dhe e drejtë. Këto standarde nuk e dobësojnë llogaridhënien, përkundrazi ato e forcojnë atë. Raporti i OSBE-së ofron vështrime të vlefshme për institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe sistemin prokurorial. Ne e shohim monitorimin e tillë si një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin institucional dhe si një mundësi për të reflektuar mbi praktikat që mund të fuqizohen më tej. Brenda sistemit prokurorial, ne mbetemi të përkushtuar të mbështesim specializimin, të forcojmë kapacitetet e përgjithshme të Prokurorisë Speciale, ashtu që të sigurojmë që prokurorët që punojnë në rastet e krimeve të luftës të kenë mbështetjen e nevojshme institucionale për ta ushtruar mandatin e tyre në mënyrë efektive”, tha ai.

Raporti u prezantua në detaje nga ushtruesja e detyrës së shefes së Seksionit për Ligj dhe Drejtësi në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Pascale Langlais, e cila shpalosi gjetjet kryesore dhe rekomandimet për institucionet e drejtësisë.

“Problemi i parë i vërejtur janë vonesat. Këto vonesa shkaktohen nga: Mosardhja e dëshmitarëve, Kufizimet në lidhje me transportimin e të akuzuarve, Vonesat në zbulimin dhe përkthimin e provave në disa raste. Gjithashtu, vonesat mund t’i atribuohen edhe kompleksitetit të rasteve, por ka pasur edhe raste ku problemet me dëshmitarët kanë qenë të shmangshme. Rekomandimet prandaj përqendrohen në vonesat e parandalueshme, si: Vazhdimësia e paneleve gjyqësore; Caktimi i gjyqtarëve zëvendësues. Çështja e dytë ka të bëjë me qartësinë dhe cilësinë e aktakuzave. Raporti ka vërejtur brenga në disa raste në lidhje me individualizimin e akuzave, në veçanti në rastet që kanë të bëjë me shumë të akuzuar dhe me disa lloje të përgjegjësisë. Akuzat e qarta janë esenciale që të akuzuarit ta kuptojnë arsyen se pse janë akuzuar, por edhe që procedura të mbetet e fokusuar. Rekomandimet që dalin nga kjo gjetje kërkojnë: Saktësi dhe qartësi në individualizimin e akuzave, Identifikim të hershëm të rrethanave lehtësuese dhe rënduese. Çështja e tretë prek çështjet e provave dhe barazisë së palëve në procedurë. Është vërejtur se gjykatat janë bazuar shumë në deklaratat e mëparshme dhe nuk i kanë marrë deklaratat drejtpërdrejt nga dëshmitarët. Në këto raste, dëshmia e drejtpërdrejtë mbetet e preferueshme sepse mundëson marrjen në pyetje të tërt- (të tërthortë) nga pala tjetër. Kjo gjetje shpie në rekomandimet për: Prioritizimin e dëshmisë së drejtpërdrejtë, Përdorimin e dëshmisë përmes videolinkut, Vlerësimin e individualizuar të besueshmërisë dhe vlerës provuese të dëshmitarit. Një brengë tjetër ka të bëjë me sigurimin e dëshmitarëve. Brengat për sigurinë dhe përdorimi i kufizuar i dëshmisë përmes videolinkut kanë prekur jo vetëm prokurorinë, por edhe mbrojtjen. Prandaj, raporti rekomandon kryerjen e kësaj në mënyrë efektive, sepse është vërejtur se ka pasur probleme të vazhdueshme si: vonesa në përkthim dhe pengesa në rishikimin e materialeve voluminoze. Çështja e katërt ka të bëjë me procedurat në mungesë. Raporti thekson që procedurat në mungesë kërkojnë një baraspeshë specifike: në njërën anë janë interesat e viktimave dhe ndarja e drejtësisë, ndërsa në anën tjetër janë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve që nuk janë të pranishëm fizikisht. Gjetjet identifikojnë pasiguri në lidhje me interpretimin dhe afatet për sa i përket “përpjekjeve të arsyeshme” si standard për njoftimin e të akuzuarit. Po ashtu, ka pasur vonesa në mbajtjen e seancave fillon- (fillestare) dhe çështje të pazgjidhura për sa i përket fushëveprimit të mbrojtjes efektive dhe qasjes në mjetet juridike të jashtëzakonshme”, tha ajo.