Basha: Deri në fund të vitit synohet përfundimi i rrugës Prishtinë - Podujevë, s’do të tolerohen më vonesat

Basha: Deri në fund të vitit synohet përfundimi i rrugës Prishtinë - Podujevë, s’do të tolerohen më vonesat

Aktuale July 08, 2026 - 13:09

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka inspektuar punimet në rrugën Prishtinë - Podujevë, duke theksuar se nuk do të tolerohen më vonesat e pajustifikuara në realizimin e projektit.

Sipas Bashës, pas një sërë takimesh me mbikëqyrësit, menaxherët e kontratave dhe operatorët ekonomikë, është arritur marrëveshje që disa pika kritike, veçanërisht urat dhe nyjet me rrezik të lartë, të përfundojnë më herët, ndërsa pjesët e tjera të projektit të realizohen deri në fund të këtij viti.

Ai njoftoi se në Bardhosh pritet që brenda kësaj jave të përfundojë njëra pjesë e urës, duke mundësuar zhvillimin e trafikut nga Podujeva drejt Prishtinës mbi urë, ndërsa qarkullimi në drejtimin tjetër do të vazhdojë përkohësisht përmes bypass-it deri në përfundimin e trotuarit anësor.

Basha tha se segmenti në Vranidoll ka shënuar vonesat më të mëdha, duke akuzuar operatorin ekonomik për papërgjegjësi në realizimin e punimeve.

"Mendoj se kemi qenë mjaftueshëm tolerantë, duke shpresuar se problemet do të zgjidheshin përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Mirëpo, kjo periudhë ka përfunduar. Tash e tutje, Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime", ka shkruar ai.

Sipas tij, segmenti nga ura e Vranidollit deri në Teneshdoll është pothuajse i përfunduar, ndërsa një pjesë e vogël e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike, për të cilat institucionet janë në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ai shtoi se operatori ekonomik është zotuar që deri në fund të javës së ardhshme të lirojë një krah të urës në Lluzhan për qarkullim, ndërsa në urën mbi lumin Llap është përfunduar asfaltimi dhe kanë mbetur vetëm punimet përmbyllëse.

Basha tha gjithashtu se janë identifikuar shqetësimet e banorëve përgjatë këtij aksi rrugor dhe se do të hartohet një projekt i veçantë për adresimin e mangësive të mbetura dhe përmirësimin e funksionalitetit të rrugës.

Në fund, ai u shpreh se do të vazhdojë të jetë në terren për të mbikëqyrur punimet dhe për të kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikuar deri në përfundimin e plotë të projektit. /Zëri