Regjistrimi online në shkollat e mesme të Prishtinës, Elshani tregon si funksionon platforma

Regjistrimi online në shkollat e mesme të Prishtinës, Elshani tregon si funksionon platforma

Aktuale July 13, 2026 - 08:22

Kalimi nga shkolla fillore në atë të mesme është një nga momentet më të rëndësishme për çdo nxënës.

E për ta bërë këtë proces më të thjeshtë dhe më efikas, Komuna e Prishtinës ka lansuar një platformë online për regjistrimin në shkollat e mesme.

Se si funksionon kjo platformë ka treguar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani.

“Realisht ka qenë diçka e gatshme që e kam gjetur, në secilën shkollë që e vizitojë gjej platforma interesante që i kanë zhvilluar për nevoja të tyre, administrim të brendshëm, dhe njëra prej tyre ka qenë pikërisht kjo, digjitalizimi i procedurës për regjistrim në shkollë të mesme. Kam kërkuar që kjo të përdoret në të gjitha shkollat, që procedura të jetë më e lehtë, pasi gjatë viteve të kaluara ka pasur radhë të gjata, duke pritur me orë të tëra”, u shpreh Elshani në Klan Kosova.

Ai shtoi se pavarësisht disa problemeve teknike në fillim, kjo platformë sipas tij, bëri më të lehtë punën për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.